Siri, nis shkatërrimi i armëve kimike?

Ekspertët e çarmatimit të organizatës për ndalimin e armëve kimike pohojne se kanë nisur asgjesimin e arsenalit të shumëpërfolur të Sirisë. Misioni i tyre mori udhë nga rezoluta e OKB-së, e miratuar pas marrëveshjes amerikano-ruse të vulosur muajin e kaluar në Gjenevë të Zvicrës.

Kjo e sotmja është dita e parë e shkatërrimit të armëve kimike siriane. Automjete të rënda do të shkelin e copëtojnë koka raketore me mbushje toksike, bomba kimike ajrore si dhe njësi mbushjeje dhe miksimi, pohuan burime pranë ekipit të specialistëve për agjensinë franceze të lajmeve ‘AFP’. Pakti i Gjenevës arriti të shmangë ndërhyrjen ushtarake ajrore të Shteteve të Bashkuara në Siri. Tonet e luftës ishin më të larta se kurrë pas sulmit kimik të 21 gushtit në periferi të  Damaskut që mori qindra jetë njerëzish, kur Moska doli me propozimin e eleminimit të arsenalit kimik sirian, i cili përbënte edhe thelbin e argumenteve më të fuqishme pro-sulmit.

Ngjarja në Ghoutta, sipas Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore, ishte vepër e regjimit të Bashar al-Assadit.

Përmasat e rezervave kimike të Sirisë kanë qenë subjekt spekullimi prej vitesh, por disa besojnë se vendi strehon arsenalin më të madh të këtij lloji në Botë. Deri muajin e kaluar, Damasku zyrtar nuk e kishte firmosur konventën e ndalimit të armëve kimike, ndaj dhe nuk ka qenë asnjëherë i detyruar të bëjë një konfirmim zyrtar të rezervave që disponon realisht. Mjaft ekspertë ndajnë bindjen se Siria zotëron sasi të mëdha të gazit nervor sarin, atij mustard si dhe VX-in e konsideruar shumë më të qëndrueshëm e të fuqishëm, produkti toksik më vdekjeprurës i krijuar ndonjëherë.

Edhe pse u pajtua me planin amerikano-rus për asgjesimin e të gjitha armëve kimike siriane deri në mesin e vitit 2014, Bashar al-Assadi paralajmëroi se teknikisht operacioni me një kosto prej 1 miliardë dollarësh ka për të qenë tepër i vështirë dhe zor se do të arrijë të përfundojë brenda një viti, siç pretendojnë fuqitë e mëdha./TCH

Artikulli paraprakAngli, shqetësim krimi shqiptar
Artikulli vijuesRuhani: Politika e jashtme e vendit bazohet në udhëzimet e liderit suprem