“Skandali! Drejtori i Forcave Operacionale në trafik droge”

Drejtori i Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit, Alban Ahmetaj është kapur në trafik droge.
 
Këtë e bëri të ditur PD.
 
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Ahmetaj ishte i përjashtuar nga Policia e Shtetit, por u kthye me ardhjen e PS në pushtet.
 
 
 
Deklarata e Ristanit
 
Inkriminimi i administratës shtetërore është shtrirë kudo, masivisht, vertikalisht e horizontalisht.
 
Por më i dhimbshmi, është sigurisht, inkriminimi  në radhët e policisë së shtetit.
 
Drejtori i Forcave Operacionale, është kapur së fundmi i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge.
 
Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi.
 
Pas hetimeve, rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj.
 
Ne nxisim prokurorinë të hetojë e të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit, pasi ky person është i afërt me ta.
 
Alban Ahmetaj, ka qënë i përjashtuar nga policia e shtetit, por u rikthye me rilindjen në krye të strukturës më delikate të policisë së shtetit.
 
Forcat operacionale janë përgjegjëse për mbulimin, vëzhgimin, gjurmimin me metodat speciale të hetimit. Pra kjo strukturë kryen operacionet më të rëndësishme kundër krimit e trafikut, kundër bosëve të drogës.
 
Merreni me mend, se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narko-trafikut, është vetë pjesë e pazareve të pisëta e të jashtligjshme.
 
Kjo do të thotë se; banda më e rrezikshme e drogës, është në radhët kryesore të Policisë së Shtetit.
 
Këto fakte tronditëse janë dëshmi se sa thellë ka penetruar krimi në zyrat më të rëndësishme të shtetit.
 
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kur Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit.
 
Këta të dy janë etërit e aleancës me krimin dhe të ngjitjes së krimit në majë.
 
Reagimi i Ministrisë së Brendshme:
 
“Partia Demokratike vijon fushtën e sulmeve ndaj Policisë së Shtetit.
 
Është e vetmja Parti që sulmon Policinë dhe jo kriminelët. Sot doli një ish i dënuar për korrupsion dhe hodhi dozën ditore të shpifjeve absurde ndaj Policisë së Shtetit, nën moton e ditur tashmë, “na nxjerrin të shpifim në emër të Partisë e nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë themi”.
 
Bëjmë me dije publikun, se hetimet të cilave iu referohet lexuesi i deklaratës së radhës, janë nisur dhe ende sot vazhdojnë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (ish-SHKB).
 
Çështja është në hetim për një punonjës policie të arrestuar tashmë, por gjithashtu po hetohet edhe për përfshirjen e mundshme të çdo punonjësi tjetër të Policisë së Shtetit, pa asnjë dallim.
 
I kujtojmë publikut se vetëm gjatë vitit 2014, janë arrestuar, proceduar penalisht dhe marrë masa administrative për mbi 11% të punonjësve të Policisë së Shtetit.
 
Ky është treguesi më i qartë se sot në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, ashtu siç tregon vullnetin tonë të qartë për të pastruar rradhët e Policisë së Shtetit nga çdo punonjës policie që nuk zbaton ligjin.
 
Por kjo tregon edhe trashëgiminë skandaloze që la qeveria e kaluar në Policinë e Shtetit, kontribut për të cilin është shquar edhe lexuesi i deklaratës së sotme, si i vetmi ish i dënuar për korrupsion që sot flet edhe për dekriminalizimin e Kuvendit.
 
PD-ja mund të zgjedhë të bëjë politikë duke sulmuar Policinë e Shtetit, por do mbahet mend si e vetmja Parti që nuk dënon krimin, por ata që luftojnë krimin.
 
Momenti për të korrigjuar, është gjithmonë.
 
Ndaj i bëjmë thirrje PD-së të heq dorë nga pengimi i punës së Policisë së Shtetit dhe të rreshtohet në krah me ata që lutojnë krimin për të bërë më të sigurt vendin dhe jetën e qytetarëve”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme./Mapo
Artikulli paraprakRusi-Inflacioni arrin nivelin më të lartë të 16 viteve të fundit
Artikulli vijuesBerlini zyrtarë u shpreh i hapur për bisedime me Rumanin dhe Bullgarinë për përfshirjen e këtyre vendeve në zonën Schengen