Slobodan Praljak: kush ishte gjenerali-regjizor, njeriu me tre diploma që bombardoi Urën e Mostarit

Slobodan Praljak, njeriu që vrau veten sot në sallën e Gjykatës së Hagës duke pirw helm, ndërsa po shpallej dënimi për 20 vjet burg për krime lufte, ka qenë një shkrimtar, regjizor dhe politikan, por që në kohën e Luftës në Bosnjë ishte një general që drejtonte operacionet e luftës në zonën e Hercegovinës.

Praljak është një nga njerëzit që kanë urdhëruar bombardimin e Urës së Mostarit, një nga trashëgimitë më të çmuara kulturore të mbrojtura nga UNESCO.

Ai nuk ishte një njeri i pakulturuar pasi kishte tre diploma universitetesh të rëndësishme: ishte diplomuar për Inxhinier Elektrik në Universitetin e Zagrebit, më pas kreu Fakultetin e Filozofisë, dhe në fund Akademinë e Filmit po në Zagreb.

Por ironia e fatit të tij që duket i është kujtuar teksa hidhte sasinë e helmit në fyt, qëndronte pikërisht tek ajo që një njeri me kaq kulturë e arsim të shkatërronte një nga mrekullitë më të mëdha kulturore të botës, vetëm e vetëm se Ura e Mostarit ishte financuar, ideuar dhe ndërtuar nga Perandoria Osmane.

Praljak ka qenë drejtori i Teatrit të Zagrebit, Osijekut dhe Mostarit, por pas pavarësisë së Kroacisë, Tugjmani e afron dhe bëhet një nga 14 anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes së vendit. Shkurt, ka qenë një nga “bosët e mëdhenj” të Luftës, i ngarkuar kryesisht me çështjen e zonës së Hercegovinës, pra pjesës së Bosnjës që banohet nga kroatë.

Tugjman ra dakord me Millosheviçin që ta ndanin Bosnjën mes vetes, por që ky projekt i frikshëm u pengua me fuqi dhe me një vullnet gati gati mbinjerëzor nga presidenti i ndjerë, Alija Izetbegoviç.

Prajlak ishte një nga 6 krerët e Republikës kroate të Hercegovinës, që në kohën e luftës tentuan ta bashkojnë territorin që kontrollonin me Kroacinë e Tugjmanit. Ata ishin dënuar më parë, ndërsa sot dënimi u konfirmua nga Dhoma e Apelit. Incidenti ndodhi në sallën e gjykatës dhe ndërpreu leximin e vendimit nga gjykatësi. Praljak tha se ai nuk ishte “një kriminel lufte” dhe pasi deklaroi se e “hedh poshtë vendimin”, piu diçka nga një gotë e vogël. Avokati i tij mbrojtës më pas tha se Praljak kishte marrë helm.

Gjykatësi bëri thirrje për një ekip mjekësor dhe ndaloi procedurat. Disa minuta më vonë, u ndërpre dhe transmetimi i drejtpërdrejtë nga salla e gjyqit. Sipas mediave kroate, Praljak vdiq në spital.

Është e paqartë se si Praljak arriti të fusë shishen në sallën e gjyqit, duke pasur parasysh se të pandehurit janë nën masa të posaçme të sigurisë. Tanjug raporton me korespondentin e saj në Hagë, i cili thekson se leximi i gjykimit rifilloi pa praninë e Praljakut.

Gjykata e Hagës konfirmoi ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale të organizuar nga kroatët në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1990. Një pjesë e udhëheqjes politike të Kroacisë, me presidentin kroat Franjo Tuxhman në krye, u cilësuan si pjesë e këtij grupimi.

Tanjug thekson se Akuza e Hagës thekson se ky grupim kriminal u ngrit me urdhër të presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tugjman me qëllim të ngritjes së një entiteti “në përputhje me kufijtë e vjetër e Kroacisë. Gjykata i liroi të pandehurit me akuza për krime të kryera kundër civilëve në Mostar.

Karmel Agius, kryetar i kolegjit të apelit, i cili është gjithashtu kryetar i TPNJ-së, tha se gjykata ka mendimin seshkatërrimi i Urës së Vjetër në Mostar nuk ishte kryer për qëllime ushtarake për të frikësuar dhe terrorizuar popullsinë civile, dmth. muslimanët boshnjakë.

Vendimi origjinal, i miratuar në vitin 2013, dënoi Jadranko Prliçin, kryeministrin e kohës së luftës të Herzegovinës së vetëshpallur me 25 vjet burg. Pesë të pandehur të tjerë, Bruno Stojiç, Berislav Pusiç, Slobodan Praljak, Valentin Çoriç dhe Milivoj Petkoviç u gjetën gjithashtu fajtorë në atë kohë, duke marrë dënime që varionin nga dhjetë deri në 20 vjet.

Artikulli paraprakKryeministri: Jemi të gatshëm t’i pranojmë në atdhe kosovarët që shkuan në luftë në Siri
Artikulli vijuesBrovina: Nuk e kam parë kush e ka hedhur gazin lotsjellës