Sony Xperia P

Jo shumë kohë më parë PCWorld ka bërë vështrim të Sony Xperia S, pajisja e parë e linjës më të re të Sony-t, ndërsa tani sjellim vëllain e tij të vogël Sony Xperia P.

Ky i fundit paraqet modelin e serisë së mesme sepse në testim na vjen së shpejti edhe Sony Xperia U, pajisja më e re nga familja Xperia. Të tre këto pajisje përcillen me një dizajn të njëjtë dhe po mos të ketë dallim në madhësi do të ishte shumë e vështirë të dihet se për cilin model bëhet fjalë.

Karakteristikat themelore:

– Dimensioni: 122 x 55,9 x 10,5 mm

– Pesha: 120 gramë

– Ekrani: 4,0 LCD Sony BRAVIA, WhiteMagic, me rezolucion 940 x 560 dhe 275 ppi

– Procesori: Dy bërthamësh Cortex A9 – 1 GHz

– Procesori grafik: 400MP

– RAM: 1 GB

– Memoria e brendshme: 16 GB

– Kamera: 8 MP

– OS: Android 2.3 Gingerbread

– FM radio

– Bateria: 1305 mAh

Mangësitë:

– Versioni i vjetër i Android-it

– Nuk e ka mundësinë për karta memorie

– Micro SIM

Dizajni dhe shtëpiza

Sony Xperia P, sikurse edhe shumë pajisje të prodhuesve të tjerë kohët të fundit, sjell po ashtu të ashtuquajturin “unibody” apo konstruksion njëpalësh, i cili në parim rezulton me forcë dhe kompaktësi. Për këtë arsye Sony Xperia P duket mjaft solide, mirëpo kapaku që ndërrohet në pjesën e poshtme të shtëpizës e prish pak përshtypjen e përgjithshme.

Dizajni katror nuk sjell shumë standard ergonomik, por kjo e bën këtë celular shumë tërheqës. Duke ditur se Sony/Sony Ericsson gjithmonë ka qenë i njohur për dizajn të mirë, nuk ka dyshim se Xperia P do të tërheqë audiencën me ndjenja estetike.

Pjesa e djathtë lart, në të cilën gjenden butonët për ndezje dhe rregullim të zërit, në këtë model janë zhvendosur pak më poshtë, sepse në majtë gjendet një zmadhues i jashtëm i zërit, gjë që është paksa e çuditshme. Tek pjesa e djathtë e poshtme te pasjisjet e Sony, tradicionalisht gjendet butoni fizik për kamerë, gjë që në kohët e sotme rrallë gjendet në celularët tjerë. Ana e majtë përmban portat micro USB dhe micro HDMI dhe vendin për kartë SIM. Pjesa e prapme është e rezervuar për kamerën dhe shkrepësin LED nën të.

Në dallim nga modelet tjera ku lentja e kamerës është e spikatur, në këtë pajisje ajo është më e tërhequr dhe me këtë rast, edhe më pak e ekspozuar ndaj një dëmtimi të mundshëm.

Ekrani

Sony Xperia P vjen me ekran 4.0 inç LCD Mobile Bravia engine në rezolucion 960 x 540 piksel, që do të thotë i ngjashëm me iPhone 4 dhe 4S. Megjithatë, pa marrë parasysh që në këtë pajisje ekrani është disi më i madh se te iPhone-i, dendësia e pikselëve është afërsisht 275 ppi. Ajo çka është risi në këtë LCD është teknologjia e quajtur “White Magic” e cila së bashku me subpikselët e kuq, të gjelbër dhe të kaltër ka edhe një të bardhë, që sjell një pamje më të qartë dhe ndriçim më të mirë të sipërfaqeve të ndritshme me një konsum më të vogël të energjisë.

Po ashtu, White Magic me vete sjell edhe një softuer special i cili rregullon dy mënyra të punës së ekranit. Në dritën e jashtme ndriçimi i fituar me White Magic është më i fortë sesa në rastin kur është në një hapësirë të mbyllur.

Për më tepër, nga Sony thonë se gjatë shfaqjes se ngjyrës së bardhë ekranët White Magic harxhojnë deri 50% më pak energji sesa ekranët tjerë. Kjo mbështetet veçanërisht në shfaqjen e sfondit të faqeve ueb dhe përmbajtjes së njëjtë që është “bosh”.

Ergonomia

Përdorimi i pajisjes nuk kërkon përshtatje të veçantë dhe pavarësisht teheve të mprehta Xperia P është mjaft i rehatshëm për përdorim. Ndoshta është më rëndësi të përmendim se personi me duar mesatarisht të mëdha mund ta prekë pa kurrfarë problemi këndin e kundërt të ekranit me gishtin e madh. Natyrisht, kjo vlen kur pajisjen e mbani me një dorë dhe nuk duhet të keni frikë se gjatë kësaj telefoni do të bjerë në tokë. Përdorimi me një dorë është i mundshëm gati për të gjitha punët që kryeni me këtë telefon, që do të thotë se mund të shkruani mesazh pa ndonjë vështirësi, të gjeni kontaktet apo të bëni thirrje.

Artikulli paraprakMeshkujt e martuar, më të shëndetshëm
Artikulli vijuesSHBA dhe Japonia arrijnë marrëveshje për sistem raketor