Gjatë seancës së sotme deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka thënë se në treg ka produkte me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, të cilat janë prodhuar pas datës kur taksa 100% u vendos nga Qeveria e Kosovës
“Edhe pse prej 21 nëntorit në fuqi është taksa ndaj Serbisë ende në tregun e Kosovës ka tepër shumë produkte me këtë origjinë, nga doganat raportohet për ulje drastike të importit të Serbisë por nuk ka rritje të ndjeshme të importeve nga ndonjë vend tjetër. Pyetja ime është çfarë masash konkrete janë marrë kundër kontrabandës së produkteve të Serbisë, sa raste i keni raportuar për kontrabandë gjatë dhjetorit 2018”, ka thënë Sveçla.
Ministri i Financave, Bedri Hamza u përgjigj se Dogana ka ndërmarrë të gjitha masat për zbatimin e vendimit për taksën.
“Dogana e Kosovës me të gjitha kapacitetet dhe njësit e veta përveç kontrolleve në pikëkalimet kufitare ka ndërmarr veprime që të parandaloj kontrabandën e produkteve serbe dhe Bosnjës, me brendi të kontrollit dhe më gjerë. Është rritur bashkëpunimi dhe koordinimi me Policinë e Kosovës, inspektoratin e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Administratës Tatimore, Agjencioni të Ushqimit dhe Veterinës me qëllim të luftimit të kontrabandës. Që nga hyrja në fuqi e vendimit ekipet e antikontrabandës kanë operuar 24 orë me aktivitete të shtuara në pjesë dhe zona dhe rrugët potenciale për kontrabandë janë kryer 204 patrollime, 4080 kontrolle dhe ndalesa rrugore”, ka theksuar Hamza.
Hamza po ashtu tha se nuk mund të deklarohet se kontrabanda është ndërprerë 100 për qind për shkak të gjendjen në veri.
Sveçla pyeti tutje a do të ishte dështim katastrofal që duhet të paguajë politika, nëse kjo masë nuk sjell përfitime ekonomike.
“Faktet e ndryshme dëshmojnë se në treg ka prodhime serbe me datë të prodhimit pas 21 nëntorit, domethënë pas vendosjes së taksës me çmime të njëjta nëse jo edhe më të ulëta si pjesë e aksioneve promocione, nëse për taksë 10 për qind do të mund të mendohej për subvencionim nga shteti serb, për taksën 100 për qind nuk është aspak e besueshme. Nëse kryeministri dhe të tjerët lavdërohen për këtë masë, kurse ne jemi në thumb të kritikës nga shtetet mike a nuk do të ishte dështim katastrofal që ne të paguajmë çmim politik, kurse ekonomikisht të mos kemi kurrfarë përfitimi”, ka thënë deputeti i VV-së.
Kujtojmë se ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që taksa të hiqet, por një gjë të tillë po e kundërshton kryeministri Ramush Haradinaj i cili ka përsëritur disa herë se taksa mund të pezullohet kur ndodh njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.