Thaçi merr përkrahje nga Senati amerikan për ushtrinë

Senatori Bob Corker, rikonfirmon përkrahjen e SHBA-së për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për një vizitë zyrtare, mbrëmë është takuar edhe me Kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, senatorin Bob Corker, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca bëhet e ditur se gjatë këtij takimi presidenti Thaçi dhe senatori Corker kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Diskutuam për nevojën për rol udhëheqës të SHBA-së në Kosovë dhe në rajon, sepse vonesat e Bashkimit Evropian po krijojnë vakum të cilin po e shfrytëzojnë aktorë të tjerë”, ka shprehur presidenti Thaçi.

Kurse nga ana e tij, Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, senatori Bob Corker, ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe ka shtuar se Kosova po luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

Artikulli paraprakKryediplomati i Malit të Zi vizitë në Shqipëri
Artikulli vijuesPentagoni: DEASH i ka ditët e numëruara në Mosul