Katër persona, të akuzuar se kanë organizuar udhëtimin gjatë të cilit humbi jetën edhe vogëlushi Ajlan Kurdi, kanë dalë para gjykatës.
Ndërkohë trupi i pajetë i sirianit është kthyer në
vendlindje për t’u varrosur.
Ajlani 3 vjeç, vëllai i tij, Galipi 5 vjeç dhe nëna Rehan, vdiqën kur skafi u përmbyt ndërsa po tentonin të mbërrinin në ishullin Kos në Greqi.
Katër trafikantët e dyshuar mbërritën në gjykatë në Bodrum të Turqisë.
Një prej tyre vetëm qante.
Ndërkohë Abdullah Kurdi u kthye në Kobani për të varrosur gruan dhe dy djemtë, në vendin prej nga po arratiseshin.
11 anëtarë të familjes së madhe të Abdullahut kanë humbur jetën në Kobani, një qytet që ka njohur luftime të ashpra mes Shtetit Islamik dhe forcave qeveritare siriane.
Po sot, halla e fëmijëve të mbytur, Tima Kurdi, në një konferencë për shtyp në Vankuver të Kanadasë, ku pretendonte të shkonte familja, tha se nëna e fëmijëve, Rehan, nuk donte të hipte në skaf pasi nuk dinte not.
“Nuk di të notoj, nëse ndodh diçka, nuk dua të shkoj”, tha ajo.
Parukierja Tima shpërtheu në lot kur po rrëfehej para gazetarëve.
“Jam e frikësuar për vëllanë. I thashë mos u kthe në Kobani,” tha ajo.