Në vitin 2016 në komunën e Vushtrrisë janë investuar 17 milionë euro në projekte të ndryshme kapitale, më së shumti në shëndetësi 8.204.727 euro, në bujqësi 3.538.291 euro dhe në ujësjellës 1.842.000 euro.
Në Mitrovicë për projekte kapitale janë investuar 2.307.525 euro, në Skenderaj 2.866.594 euro dhe në Istog 2.224.745 euro. Zyrtarët komunalë të Drenasit kanë refuzuar të ofrojnë të dhëna për investime kapitale
Më shumë se 25 milionë euro kanë investuar Mitrovica dhe komunat e rajonit, Vushtrria e Skenderaj, si dhe komuna e Istogut për projekte kapitale në vitin 2016. Infrastruktura bazike, respektivisht projektet në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës dhe në kanalizim kanë qenë prioritet i pothuajse të gjitha komunave dhe premtim i dhënë gjatë dëgjimeve buxhetore.
Në vitin 2016 në komunën e Vushtrrisë janë investuar 17 milionë euro në projekte të ndryshme kapitale, në Mitrovicë për projekte kapitale janë investuar 2.307.525 euro, në Skenderaj 2.866.594 euro dhe në Istog 2.224.745 euro.
Zyrtarët komunalë të Drenasit kanë injoruar me cinizëm të theksuar gazetën “Zëri”, duke refuzuar kategorikisht të ofrojnë të dhëna për investime në projekte zhvillimore, në vitin 2016.
Drejtorit të Drejtorisë për Financa dhe Buxhet në Drenas, Hamdi Krasniqi, i cili i ka thënë “Zërit” shkurt se “një pasqyrë të plotë për investime nga buxheti komunal për vitin 2016 dihet pas përgatitjes së raportit financiar përfundimtar 2016”, i ka dalë në mbrojtje edhe vetë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Nuk mundet ai me u marrë me gazeta kur të vyen dhe kur të duash ti, kur të ketë kohë t’i dërgon. Hajt bjeri trup se nuk kam kohë me fol me ty, jam në punë”, është shprehur Lladrovci në kërkesën e “Zërit” për t’i sqaruar arsyet pse Drejtoria e Financave e Komunës së Drenasit ka refuzua t’i ofrojë të dhënat e kërkuara.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të komunave të tjera, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe Istog, nuk kanë hezituar fare për të ofruar krejt çfarë ka kërkuar “Zëri” lidhur me investimet në komunat e tyre.
Vushtrria, 17 milionë euro në vitin 2016
Komuna e Vushtrrisë ka dalë të jetë kampione për investime në projekte zhvillimore në vitin 2016. Kjo Komunë për projekte kapitale ka investuar 2.964.849 euro nga buxheti i vet, 727.705 euro i ka investuar komuniteti, 2.927.917 euro i ka investuar Qeveria e Kosovës, ndërsa nga donacionet janë investuar 10.371.214 euro për projekte të ndryshme zhvillimore në komunën e Vushtrrisë.
Më së shumti mjete janë investuar për projekte në fushën e shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale, mbi 8 milionë euro, pastaj në zhvillim ekonomik dhe në bujqësi janë investuar 3.538.300 euro dhe në ujësjellës 1.842.000 euro.
Projektet që veçohen janë investimet për rinovimin e objektit të spitalit të Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, përfundimi i ndërtimit të fabrikës për përpunimin e ujit në Balincë të Vushtrrisë, si dhe përfundimi i punëve në ndërtimin e rrugës kryesore dhe të sheshit të qytetit të Vushtrrisë.
Drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Buxhet në Komunën e Vushtrrisë, Isuf Jashari, ia ka thënë “Zërit” se Komuna ka përmbushur gjithë çfarë ka synuar dhe çfarë ka planifikuar me buxhet sa u përket projekteve të ndryshme kapitale.
Sipas tij, rreth 3 milionë euro të buxhetit të Komunës për projekte kapitale janë shpenzuar krejtësisht për t’i kryer obligimet ndaj operatorëve ekonomikë, ndërkohë që ka theksuar donacionet e mëdha që ka pasur nga jashtë Komuna e Vushtrrisë.
Në Komunën e Mitrovicës për projekte të ndryshme kapitale janë investuar 2.307.525 euro, 1.066.453 euro nga Qeveria e Kosovës, 1.016.071 euro nga buxheti i Komunës i planifikuar për projekte kapitale dhe 225 mijë euro mjete nga të hyrat tjera. Me planin buxhetor të vitit 2016 janë planifikuar të investohen 2.750.100 euro, ndërsa janë realizuar 2.307.525 euro.
Projektet më të mëdha kapitale që janë realizuar në vitin 2016 në komunën e Mitrovicës janë ai për ujësjellës, bashkëfinancim me “LUX-DEV” prej 369.438 eurosh, projekti i riparimit dhe i rregullimit të rrugëve, 222.000 euro dhe për kanalizime 129.000 euro.
Istogu, 717 mijë euro vetëm për projekte zhvillimore dhe në bujqësi
Komuna e Istogut ka investuar 2.224.745 euro për projekte të ndryshme kapitale, po aq mjete edhe sa kishte planifikuar për investime të këtij lloji.
Kjo Komunë, sipas drejtorit për Financa dhe Buxhet në Komunën e Istogut, Hysni Maxharraj, ka realizuar saktësisht 1.951.109 euro për investime në projekte të ndryshme kapitale, ndërkohë që 131.908 euro janë mjete të zotuara, obligime në pritje. Sipas tij, 141.728 euro janë mjete buxhetore të ashtuquajtura “free balance”.
Maxharraj ka thënë se projektet më të mëdha janë ato që janë realizuar për zhvillimin ekonomik të komunës, 405 mijë euro dhe për fushën e bujqësisë 312 mijë euro.
“Ka edhe projekte të tjera më të vogla, por që realizimi i tyre ka përmirësuar tej mase jetën e qytetarëve të komunës. Janë realizuar ato projekte që janë caktuar nga qytetarët gjatë dëgjimeve buxhetore, ndërsa ka edhe projekte që janë realizuar me donacione të ndryshme”, ka thënë Maxharraj.
Njëri prej projekteve më të rëndësishme që është duke u realizuar në komunën e Istogut dhe i cili parashikohet të përfundojë në këtë vit është memoriali “Ibrahim Rugova” në qendër të Istogut. Për këtë projekt investojnë Qeveria e Kosovës, si dhe Komuna e Istogut. Projekti përfundon në vitin 2017.
Objekti i ri i QKMF-së, projekti më i madh në Skenderaj në vitin 2016
Ndërkaq, në komunën e Skenderaj janë investuar 2.866.594 euro për një mori projektesh që janë realizuar në vitin 2016.
Sipas Ismet Aliut, drejtor për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, në komunën e Skenderajt buxheti i Qeverisë së Kosovës për investime kapitale është realizuar 100 për qind.
Sipas tij, për investime kapitale Qeveria e Kosovës i ka ndarë Komunës së Skenderaj 2.221.025 euro dhe po aq mjete edhe janë realizuar, 569.949 kanë qenë mjete vetanake, ndërkaq 172.558 euro mjete të bartura.
Shumica e projekteve të realizuara i përkasin infrastrukturës bazike, rrugëve, ujësjellësit dhe kanalizimit.
Projektet më të mëdha janë investimet për rrugën e Polacit, të Plluzhinës, asaj të Runikut, të Klledërnicës, Klinës, segmenti 2 i unazës në qytet (projekte me kosto mbi 120 mijë euro), si dhe projekti për kanalizimin në Polac (130 mijë euro).
Projekti më i madh që është realizuar dhe ka përfunduar në vitin 2016 është objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për ndërtimin e të cilit ka investuar Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës.