Ymeri: Qeveria në panik, po përpiqet t’i frikësojë qytetarët

Përndjekja e qytetarëve para dhe pas protestës nga ana e Policisë së Kosovës, po mohon të drejtën e lirë të qytetarëve për të protestuar. Kështu është thënë në një konferencë për shtyp të Lëvizjes Vetëvendosje, ku pos tjerash u tha se vazhdimi i ushtrimit të dhunës nga ana e policisë edhe pas protestës së 27 Janarit, është skenar për ta ndaluar protestën e së mërkurës, e cila sipas tyre do të jetë më masive se dy të parat.

Frashër Krasniqi, nga kjo lëvizje tha se dhuna është përdorur edhe nëpër stacione policore dhe sipas tij, gjatë këtij akti policët nuk kanë pasur numra identifikues.

 

“Të lënduarve shumë shpesh nuk i është lejuar as të shkojnë në spital dhe të marrin ndihmën mjekësore, po ashtu vlen të theksohet se gjatë gjithë kësaj pune policët nuk kanë pasur asnjëherë numra identifikuese. Mendojmë që krejt ky skenar është duke u bërë për t’i frikësuar qytetarët e Kosovës, në mënyrë që të mos bashkohen në protestat e radhës, mirëpo Qeveria e Isa Mustafës dhe shteti policor që këta janë duke dashur ta bëjnë në Kosovë po harrojnë që e kanë zgjedhur momentin e gabuar. Sot revolta qytetare e njerëzve të pa perspektivë, e qytetarëve të varfër është shumë e madhe. Është revoltë e tillë e cila nuk zbrazet prej dhunës të cilën këta janë duke e ushtruar”, tha Krasniqi.

 

Krasniqi po ashtu bëri të ditur se entuziazmi i qytetarëve për protestën e së mërkurës është shumë më i madh, sesa në dy protestat e kaluara.

 

Sipas tij, dhuna që është duke u përdorur nga policia e Kosovës, është dhunë që po e rrit revoltën dhe mllefin e qytetarëve.

 

Deputeti i Vetëvendosjes, Visari Ymeri, tha se e gjithë kjo po ndodh për shkak se Qeveria e tanishme është e frikësuar të përballët me Jabllanoviqin dhe Serbinë.

 

“Dhuna e policisë jo vetëm gjatë ditës së protestës që ka qenë aty e pranishme deri në fund të protestës, por edhe gjatë ditëve pas protestës, është dëshmi e panikut të Qeverisë. Kjo Qeveri është në panik dhe është e frikësuar dhe tani e kemi një situatë kur të frikësuarit po tentojnë t’i frikësojnë qytetarët. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi si dy udhëheqësit e këtij koalicionit Qeverisës janë të frikësuar të përballën me Jaballanoviqin dhe Serbinë, pra janë frikësuar që të ndërmarrin veprime serb-organizuese për shtetin e Kosovës dhe kështu ta vendosin Kosovën në binarët e shtet-ndërtimit nga ku e kanë zhvendosur fuqishëm Hashim Thaçi, zhvendosje të cilën po e vazhdon po aq fuqishëm edhe Isa Mustafa”, tha Ymeri.

 

Ymeri po ashtu tha se ata janë duke kërkuar nga policia e Kosovës që t’i bëjnë të ditur emrat e atyre që janë të arrestuar dhe arsyet pse ata po mbahen ende.

 

Vetëvendosje i japi kohë Qeverisë deri të martën që t’i plotësojnë kërkesat e tyre, të cilat janë të njëjta me kërkesat e dy protestave të mëparshme./Telegrafi/

 

Artikulli paraprakE la shtëpinë dhe nënën e vetmuar, u nis për Gjermani
Artikulli vijues“Bombat” e opozitës, Maqedonia para destabilizimit të madh!