Nënshkrimi i marrëveshjes për punësim ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ka ndikuar që mijëra qytetarë të përpiqen që të shkojnë në këtë shtet.
Kjo marrëveshje i mundëson qytetarëve të Kosovës që të punojnë për disa muaj apo në disa raste edhe disa vite në Gjermani. Kjo varët nga kërkesa e punëdhënësve gjermanë, ndërkaq kjo kërkesë është vendimtare për marrjen ose jo të vizës.
Duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë, kjo marrëveshje është e mirëseardhur për qytetarët e Kosovës.
Por halli kryesor i punëkërkuesve kosovarë është se si të gjejnë një garancion për punë. Jo të gjithë kanë të afërm apo familjar të cilët kanë mundësi t’ua sigurojnë një garanci për punë në Gjermani.
Duke e marrë parasysh këtë situatë, disa agjenci kanë filluar një aktivitet shumë fitimprurës për vetën e tyre. Këto agjenci u sigurojnë leje pune qytetarëve, por për të siguruar këtë garancion pune dhe për të marrë vizën duhet paguar paraprakisht së paku 3 mijë euro.
Edhe pse kjo është një kosto e lartë, shumë qytetarë përmes këtyre agjencive po provojnë që të realizojnë qëllimin e tyre për të shkuar për punë në Gjermani.
Duke e parë rritjen e kësaj dukurie, tesheshi.com ka ndërmarrë një hulumtim për të parë në detaje se si po realizohet marrja e vizave përmes agjencive. Fillimisht kemi siguruar kontaktet e një agjencie e cila e ka zyrën në Prizren.
Për të marrë informacione sa më të sakta, gazetari i tesheshi.com është paraqitur si i interesuar për të marrë një vizë punë përmes kësaj agjencie. Gjithashtu ka informacione se agjenci të tilla janë hapur edhe në qytete tjera, e sidomos në Prishtinë.
Ja si aplikohet për vizë punë dhe rreziku që t’i humbësh 3 mijë euro
Zyra të cilën e vizituam ishte në qendër të Prizrenit. Nuk ishte e vështirë ta gjenim. Në atë kohë afër zyrës ishte krijuar një radhë me rreth 10 të rinj, të cilët kishin ardhur për të iniciuar procedurat për marrjen e vizës.
Aty punonin tri punëtore, të cilat jepnin informacione për dokumentacionin që duhet plotësuar dhe shumën e parave që duhet paguar. Ato na treguan se për të marrë një vizë pune se pari duhet që të aplikohet, me ç’rast duhet paguar 50 euro. Kur të lëshohet leja e punës duhet paguar 500 euro, ndërsa kur e bën terminin për dërgimin e dokumentacionit për vizë duhet paguar edhe 2500 euro. Pra e gjithë kostoja kalonte në 3 mijë e 50 euro.
“Lejet e punës që ne i sigurojmë janë për profesione të ndryshme dhe mund të jenë në qytete të ndryshme të Gjermanisë. Ndërsa sa i përket kostos së banimit, varët se me sa persona ju bie që të banoni dhe çfarë vendi është”, tha ajo.
Kjo vizë për të cilën po flasim që ka këtë kosto garanton punë vetëm për gjashtë muaj. Ndërsa nëse i pëlqen shefit atje, ai mund të dërgojë sërish një garancion pune.
Ajo na sqaron se pasi të aplikohet për vizë duhet pritur deri në 7 muaj për përgjigje pozitive apo negative.
Ndërsa e pyetur se nëse nuk realizohet viza, a na kthehen paratë, ajo na tha që “nëse viza refuzohet për fajin tonë, paratë na humbin, ndërsa nëse viza refuzohet për fajin e tyre paratë na kthehen”, tha ajo, duke mos dhënë më shumë detaje.
Para se të fillohet me procedurën pala, apo klienti i interesuar për vizë, duhet që të nënshkruajë një kontratë ku cekën disa detaje.
Tesheshi.com ka arritur që të sigurojë një kontratë të kësaj agjencie, ku cekët se në cilat raste i kthehen paratë klientëve dhe në cilat raste jo. Por efekti juridik i kësaj kontrate mbetët i dyshimtë, pasi që nuk na u tha se duhet të nënshkruhet zyrtarisht tek noteri. Por vetëm dy palët i vënë nënshkrimet e tyre.
“Të hollat kthehen nëse ambasada gjermane ka refuzuar vizën për arsye: Të mos kompletimit të dokumenteve nga agjencia dhe nëse kompania që e ka dërguar garancionin e punës nuk i plotëson kushtet e punës. Ndërsa të hollat nuk kthehen nëse ambasada gjermane ka refuzuar vizën për arsye: Nëse klienti ka ose ka pasur ndalesën në zonën shëngen; nëse klienti ka qenë azil apo në mënyrë ilegale në Gjermani apo në vendet e Bashkimit Evropian;nëse klienti ka ndonjë problem financiar apo ligjor në Gjermani apo në shtetet e bashkimit evropian dhe të gjitha ndalesat që kanë të bëjnë me personin e afërt të familjes (dënime, vepra penale, sulme terroriste etj)”, thuhet ndër të tjera në kontratë.
Gjithashtu në këtë kontratë shkruhet se klienti nuk mund të kërkojë kthimin e parave që i ka paguar deri në marrjen e përgjigjes nga ambasada gjermane.
Të vendosur për të ikur nga Kosova
Të gjithë ata që po prisnin në radhë për të iniciuar procesin e marrjes së vizës së punës ishin të rinj. Në bisedë e sipër, ata thoshin se edhe pse ka një kosto të lartë kjo vizë, ia vlen për ta provuar fatin, ndërsa shpresa e tyre ishte që të punon mirë dhe të siguronin leje pune edhe për periudha më të gjata kohore.
“Është boll shtrenjtë kjo vizë, po s’po kemi çka me ba. Papunësi e madhe, s’ka perspektivë këtu, edhe me hy në punë a punohet për 200 euro?! Çka të bësh me ato para, si të krijosh një bazë për martesë, familje e shtëpi, çmimet shumë të shtrenjta. Një shokut ia ka dërgu daja i tij një vizë pasi që i kishte siguruar leje pune, por unë nuk e kam askënd dhe prej kësaj agjencie kam dëgju që disa kanë marrë viza e tash janë duke punuar në Gjermani”, thoshte njëri nga të rinjtë që ishte duke pritur aty.
Ndërsa një i ri tjetër shprehte shqetësimin se mos kjo agjenci po i mashtron.
“Mezi i kam grumbullu paratë, duke shitur disa gjëra edhe disa para i kam marrë nga familja e të afërmit. Shpresoj së jetë hajr e shkojmë të punojmë, se është rrezik edhe me na mashtru. Po u dashke krejt paratë me ia jep kur të aplikosh për vizë, mos me u ba viza ndoshta nuk na kthejnë paratë, apo ndoshta kur të shkojmë në Gjermani nuk na mbajnë në punë. Veç po e provojmë e le të del ku të del kjo punë”, shprehte shqetësimin ai.
Ndryshe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka deklaruar se në vitin 2016 ka lëshuar 6 mijë e 500 viza pune për qytetarët e Kosovës.
Ndërkaq, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes me Gjermaninë ka qenë i suksesshëm. Sipas tij, gjatë vitit 2016 rreth 10 mijë persona kanë marrë leje për punë në Gjermani dhe se një pjesë e tyre tashmë janë në proces të pajisjes me vizë.