Akuzat ndaj Fatmir Limajt ndryshon nga 80 milionë në 250 000

Nga 80 milionë euro, sa kishin deklaruar në fillim, Eulex-i zbret shumën e keqpërdorimit të buxhetit të Kosovës, në cështjen e Ministrisë së Transportit, në 250 mijë euro.

Përmbajtja e aktakuzës kundër ish-ministrit të këtij dikasteri, Fatmir Limaj, dhe katër bashkëpunëtorëve të tij i referohet tre tenderëve, që u janë dhënë kompanive të ndërtimit të rrugëve, të cilat premtonin pagesën e gjobës përkatëse, në shumën prej 20 përqind nga vlera e përgjithshme e kontratës.

Këtu përmendet veçanërisht kompania “Tali”, e cila kishte fituar tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve rajonale, për vitin 2009-2010.

Në aktakuzën prej 150 faqesh, Eulex-i ka zbardhur përmbajtjen e mesazheve telefonike, ndërmjet shefit të kabinetit të ministrit Fatmir Limaj dhe pronarit të kompanisë fituese Florim Zuka, i cili po ashtu akuzohet për vepren penale “Dhënie e Ryshfetit dhe Keqpërdorim i Autorizimeve në Ekonomi”.

“O Endrit shefi, pasnesër çelen ofertat. Si mendon, a mundemi të bëjnë diçka o shef dhe unë të kryej detyrimet ndaj teje, ndërsa ti ndaj eprorëve të tu? Ta jap o shpirt atë 25-she me katër zero (250,000). Kalofsh mirë dhe më lajmëro”, ishin fjalët e Florim Zukës, nga kompania fituese e tenderit.

“Përshëndetje Tali! Po, po, e di që hapen nesër ofertat, kismet ti e merr, se kam fol edhe me vllain e këtij shefit më të madh edhe ty ta kanë dhënë, mirëpo edhe ti duhet të mbash fjalën për atë 25-shen që kemi folur, se tani prishen punët nëse nuk tregohesh korrekt”, ishin fjalët e Endrit Shalës, ish-shef i kabitenit të Ministrisë së Transportit.

Është kjo shumë prej 250 mijë euro, për të cilën prokurori ndërkombëtar pretendon se janë marrë në emër të Fatmir Limajt, i cili ishte ministër i Transportit.

“Në mars të vitit 2009, pas diskutimeve të hollësishme të zhvilluara lidhur me ryshfetin ndërmjet Endrit Shalës dhe Florim Zukës, për të cilat ishte në dijeni Fatmir Limaj, kompanisë Tali iu dha tenderi me vlerë 1,192,844,94 euro, në këmbim të pagesës së një ryshfeti, që arrinte shumën prej 250 mijë euro, që do t’i kalonte familjes Limaj”.

“Paratë e ofruara të ryshfetit, në shumën prej 250 mijë euro, përbën 20% të shumës së përgjithshme, që iu ishte kërkuar më parë edhe Mehmet Shkodrës e një ofertuesi tjetër, nga shefi i prokurimit Nexhat Krasniqi”, thuhet në aktakuzën e Eulex-it.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, hedh poshtë të gjitha këto pretendime, duke thënë se aktakuza është një roman i shkruar keq dhe pa fakte inkriminuese për z. Limaj.

Pjesa tjetër e aktakuzës, të cilën e ka siguruar Top Channel, flet për vlerësimin që ekspertë ndërkombëtarë i kanë bërë cilësisë së rrugëve në rajonin e Gjilanit.

Ekspertët, veç të tjerash, kanë konstatuar se në rrugë të caktuara mungojnë shtresa asfalti, për çka ministria ka qenë në dijeni. Kjo lëndë është iniciuar nga dëshmia e pronarit të një kompanie rrugësh më 2009-n.

Janë gjithsej shtatë vepra penale, të cilat rëndojnë mbi deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili nga 24 nëntori i vitit të kaluar po mbahet në paraburgim, nën akuzën për krime lufte.

Artikulli paraprakAI: Afganistan, të zhvendosurit në nevojë urgjente
Artikulli vijuesThaçi: Lugina nuk bëri as përpjekjen më të vogël për mbrojtjen e Monumentit