Ministri Çavuşoğlu ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve Kyodo të Japonisë, ku ka folur për tentativën e puçit më 15 korrik dhe zhvillimet mëvonshme
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me kërkesën për ekstradimin e kreut të Organizatës Terroriste Fetullahçi (FETÖ), Fetullah Gülen ka deklaruar se nëse nuk vjen një përgjigje ndaj kërkesës së ekstradimit të Gülenit, kreut të FETÖ-s nga SHBA-ja ku ai banon, kjo situatë do të paraqesë ndikime të pashmangshme në marrëdhëniet mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çavuşoğlu ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve Kyodo të Japonisë, ku ka folur për tentativën e puçit më 15 korrik dhe zhvillimet mëvonshme.
Duke vënë në dukje se në Japoni ndodhen 15 institucione të lidhura me FETÖ-n që operojnë në sektorët e arsimit, kulturës dhe tregtisë dhe se kanë pritshmëri që të ndalohen operimet e tyre, Çavuşoğlu ka theksuar se FETÖ përbën kërcënim edhe për stabilitetin dhe sigurinë e Japonisë.
Ndërsa në lidhje me punonjësin e Kryekosullatës së Turqisë në Kazan i cili si rezultat i hetimeve në kuadër të FETÖ është arratisur në Japoni, ministri Çavuşoğlu ka theksuar se ky person është i lidhur me FETÖ-n. Në lidhje me ekstradimin e tij u shpreh se mes dy vendeve do të hidhen hapat e duhur në kuadër të bashkëpunimit.
– “Nuk mund të injorohet plotësisht kërkesa e popullit”
Në lidhje me kritikat ndaj Turqisë nga vendet perëndimore rreth operacioneve të ndërmarra pas tentativës së puçit ndaj personave të lidhur me FETÖ, Çavuşoğlu tha gjithashtu se hetimet po kryhen në kuadër të kushtetutës dhe të ligjeve.
Ministri Çavuşoğlu tha se ngadalësimi i negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian është për shkak të BE-së. Për diskutimet rreth dënimit me vdekje ai tha se “Nuk mund të injorohet plotësisht kërkesa e popullit. Është mirë që kjo çështje të vlerësohet qetësisht dhe me maturi.”
Në lidhje me vizitën e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Rusi, ministri Çavuşoğlu ka theksuar se janë rregulluar marrëdhëniet e prishura me Rusinë pas ngjarjes së rrëzimit të avionit dhe kjo do të ndihmojë edhe për zgjidhjen e problemeve në rajon.
Çavuşoğlu ka shtuar se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e Turqisë në lidhje me presidentin e Sirisë Bashar al Asadi.