Patriarku serb më shumë duket si poet romantik militant, se sa si një njeri i fesë.
Militantizmi pagan e romantik i patriarkut serb Irinej
Si ilustrim për rëndësinë e trajtimeve të kësaj natyre, këtu po trajtojmë vetëm një segment të vogël të diskursit me të cilin kanë operuar në një rast konkret e në ngjarje konkrete, dy personalitetet më të larta të Serbisë, udhëheqësi fetar e shpirtëror serb, partiarku Irinej dhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi.
Deklarimet e tyre që janë bërë objekt i këtij vëzhgimi të shkurtër, janë dhënë në vigjilie të festës fetare, të Krishtlindjeve ortodokse serbe, me të cilën u lidhën edhe dy ngjarje jofetare: arrestimi nga ana e autoriteteve franceze i Ramush Haradinajt në Bazel, në bazë të një fletarresti të Interpolit serb dhe mosjelimi i ardhjes në Kosovë të presidentit serb për Krishtlindjet orotdokse, si reagim i autoriteteve shtetërore të Kosovës ndaj atij arrestimi. Pra, kombinimi i një ngjarjeje (feste) fetare dhe i dy ngjarjeve politike (mbase njëra juridike) u ka dhënë shkas dy drejtuesve më të lartë të shoqërisë e të shtetit serb, që të deklarojnë se çfarë mendojnë ata për Kosovën e shqiptarët, në kontekstin e mendimit të tyre fetar e politik.
Diskursi që kanë përdorur është interesant për analizë hermeneutike dhe ideologjike, sepse përdoret gati dy dekada pas largimit të forcave dhe administratës së Serbisë nga Kosova dhe dëshmon një ngurtësim të çuditshëm të mendimit e të gjuhës, filozofisë e të ideologjisë. Fjalët me mbështjellës religjioz e filozofik të patriarkut Irinej dëshmojnë se Kisha Ortodokse Serbe dhe kreu i saj nuk e kanë pranuar asnjë ndryshim që ka ndodhur në realitetin politik, juridik e shoqëror të Kosovës. Irineji e ka lëshuar këtë Mesazh solemn për Krishtlindjen ortodokse serbe: “Deri sa ka serbë, do të jetë Kosova, Kosova është shpirti i Serbit, prandaj Kosova dhe Metohia do të jetë dhe do të mbetet toka jonë, sepse aty janë Golgota jonë dhe Jerusalemi ynë”.
Pra, sipas patriarkut serb, ekzistenca e Kosovës varet nga ekzistenca e serbëve dhe si e tillë ajo duhet të jetë vetëm serbe. Shpirti i serbit nuk qenka i dhënë nga Zoti as nuk qenka në dorën e Zotit, po qenka Kosova shpirti i serbit! Kjo do të thotë se është fjala për një përjetim pagan e jo kristian të natyrës së shpirtit, nga ana e kreut të KOS-it. Patriarku serb më shumë duket si poet romantik militant, se sa si një njeri i fesë. Edhe referenca në simbolet biblike, Golgogën dhe Jerusalemin, në diskursin e tij ka të bëjë me thirrje për hakmarrje, me thirrje për ripushtim, e jo me meditimin për vuajtjen dhe triumfin e Krishtit. Këtë mesazh të patriarkut serb e përshkon deformimi i qëllimtë i kuptimeve të fjalëve dhe të gjuhës. Fjalët: serb, Kosova, shpirti, Golgota dhe Jerusalemi, janë kombinim fjalësh nga sfera konkrete (serb, Kosova) dhe ajo fetare (Golgota, Jerusalemi), duke i lidhur me fjalën shpirt, e cila ka kuptime të shumta, që nga sfera fetare deri te ajo pagane, por që në këtë kontekst ka të bëjë me idenë e martirizimit, të flijimit, rimishërimit, të luftës së shenjtë, që e dëshiron, e sugjeron dhe e pret patriarku.
Në një intervistë për mediat, Irinej po në këtë frymë romantike e militante ka deklaruar se u paskësh thënë ambasadorëve të huaj se Peja është Serbi. Sipas tij, Peja serbe dhe Kosova serbe, janë prona shpirtërore e Kishës së tij, selia e patriarkëve serbë. Po në këtë frymë, në një rast tjetër ai thotë: “Duhet të bëjmë gjithçka, që Kosova jonë të mbijetojë!” Pëdorimi i shprehjeve të tilla si: ”duhet të bëjmë gjithçka” ose ”me të gjitha mjetet” janë tipike për liderët arrogantë e luftënxitës, siç ishte Sllobodan Millosheviçi. Por, në rastet kur nuk ka dallim ndërmjet diskursit të udhëheqësit shpirtëror dhe udhëheqësit arrogant shtetëror, është fjala për një diskurs të unifikuar, për një gjuhë të dominuar nga ideologjia fashiste.
Në diskursin e mesazheve dhe intervistave të Irinejit ndihet eliminimi i kuptimeve religjioze të fjalëve dhe zëvendësimi me kuptime të tjera nga sfera e ideologjisë nacionaliste e fashiste serbe, ku serbizmi e jo krishterimi është masa e çdo gjëje. Pra, raporti ndërmjet krishtërimit dhe nacionalizmit virulent serbomadh, në diskursin e Irinejit është i përmbysur në dëm të krishterimit. Kështu ka qenë edhe më herët. Edhe pa u kthyer në arkiva e pa bërë krahasime ndërmjet diskursit të Irinejit e paraardhësve të tij, Pavlit, fjala vjen, është e qartë se nuk ka asnjë ndryshim në mendësinë e Kishës Ortodokse Serbe lidhur me Kosovën, me serbizmin dhe armiqtë e serbizmit, që sipas diskursit filozofik e ideologjik të saj, duhet të eliminohen, duhet të zhduken.
Për shoqërinë dhe shtetin tonë, është shumë e rëndësihme të kuptohet ky realitet i Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Të kuptohet se kjo qasje e saj dhe e kreut të saj nuk do të ndryshojë në të ardhmen. Edhe përkundër koncesioneve të shumta që i janë bërë Kishës Ortodokse Serbe me Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Kosovës, KOS mbetet agjent armiqësor ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj të gjithë atyre që nuk janë serbë në Kosovë. E palëkundur në idenë se shqiptarët duhet të zhduken, për ta ribërë Kosovën serbe. Prandaj, në bazë të këtyre fakteve do të duhej të rishikoheshin jo vetëm politikat e shtetit tonë ndaj KOS-it, po edhe ligjërimi ynë politik e kulturor ndaj këtij agjenti armiqësor. Mbajtja me kaq privilegje e një agjenti qartësisht armiqësor, herët e vonë do të prodhojë fatkeqësi për shtetin dhe shoqërinë tonë.
Nga Prof. Dr. Milazim Krasniqi