Nga Erol Göka
Islamofobia dhe armiqësia ndaj Islamit janë shfaqur përsëri fuqishëm sot për të përmbushur nevojën e Perëndimit modern për një “tjetër” pas botës bipolare. Me këtë “tjetër” të ri është bërë e mundur për perëndimorët, që po hanin njëri-tjetrin në dy luftërat botërore, t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre të brendshme në rajonet muslimane nëpërmjet luftërave të subvencionuara. Por ky nuk është i vetmi përfitim që islamofobia dhe armiqësia ndaj Islamit siguruan për Perëndimin modern; ka shumë më tepër avantazhe se ç’ne mendojmë. Për shembull, kur muslimanët u pozicionuan kundër botës moderne shekullare, konfliktet me të tjerët në të njëjtin kamp u zbutën automatikisht. Ndërkohë, kjo u dha një mundësi teorive të tilla si evangjelizmi, që e eliminoi luftën e lashtë kristiano-hebreje dhe, në fakt, e ktheu atë në një miqësi të përhershme. Le të pëpiqemi të sqarojmë.
E drejta romake dhe filozofia greke janë përmendur gjithmonë me Judaizmin-Krishterimin në rrënjët historike të kulturës perëndimore. Ata na bindën të gjithë ne përmes përsëritjes të besojmë në këtë këmbje, por realiteti nuk është krejt ashtu siç thonë. Vetëdija perëndimore kristiane qe formuar gjer kohët e fundit mbi të qenit kundër Judaizmit, dhe e perceptonte Islamin si një vazhdim të Judaizmit. Ka patur gjithmonë një “problem hebre” në Europë, te i cili është ndalur thuajse çdo mendimtar. Për shkak të këtij problemi, në valën e Rekonkuistës që pasoi shembjen e Andaluzisë ndodhi masakra dhe syrgjynosja e hebrenjve dhe muslimanëve; ata gjetën strehë në Perandorinë Otomane, dhe tragjedia e “Holokaustit” ngjau në qendër të Europës. Tragjedia e “Holokaustit” u shndërrua në fund në “çështje palestineze”. Ata që ia dolën ta largonin “çështjen hebreje” prej vetes dhe e kthyen grindjen në një çështje judeo-muslimane u tërhoqën mënjanë, por tensioni judeo-kristian vazhdoi në fshehtësi. Kjo është ajo çfarë ngjau në të vërtetë…
Vetëdija perëndimore gjeti një mundësi për pastrim të mëkateve të saj të vjetra me islamofobinë dhe armiqësinë ndaj Islamit, që filluan pas rënies së Murit të Berlinit. Tjetërizimi i Islamit dhe/ose i muslimanëve (perëndimorët nuk kanë qenë në gjendje të vendosin për njërin nga të dy apo për të dy së bashku) dha mundësinë për përmendjen bashkërisht të besimeve judeo-kristiane. Evangjelizmi, i cili qe reformuar, ishte pikërisht kaftani i prerë për të përmbushur këtë nevojë…
Izraeli që e shkaktoi “çështjen palestineze” dhe vetë u kthye nga viktimë e Holokaustit në pushtues dhe vrasës në sytë e publikut botëror demokratik, jo vetëm e miratoi këtë zhvillim, por qe shumë i kënaqur me të.
Evangjelizëm do të thotë pak a shumë “të kthehesh nga libri i shenjtë”. Ndërsa Martin Luteri i dha këtë emër kishës së tij, fjala “evangjelist”, që në Europë përkufizoi më herët luteranët apo protestantët joliberalë, ndryshoi me kohë përmbajtje. Në domethënien e tanishme, evangjelizmi në shekullin e 18-të shtrihet gjer në formimin e sekteve të mëdha protestante amerikane, baptizmit dhe metodistëve. Pastaj u bë gjithnjë e më tepër vazhdim i puritanëve dhe teologjia e një ideologjie që përfaqëson krahun konservator të Krishterimit amerikan. Ata, bashkë me neokonët, u kthyen në një lëvizje të madhe politike.
Besimi evangjelist ka një mësim shumë interesant të kiametit. Izraeli merr rol udhëheqës në këtë mësim… Evangjelistët e shohin Luftën e Armagedonit si shpresën e tyre për shpëtim, dhe po përpiqen që kjo luftë të ngjasë një minutë e më parë. Sipas tyre, si një kërkesë e planeve të Zotit, hebrenjtë që u kthyen në tokën e premtuar dhe që krijuan Izraelin e Madh, do ta fitojnë Luftën e Armagedonit dhe do ta pushtojnë botën. Duke e mbështetur këtë plan, ata do të jenë gjithashtu në krah të hebrenjve në Armagedon dhe do të arrijnë shpëtimin e përjetshëm, e që këtej, xhennetin.
Disa e përdorin këtë teologji komike edhe kur shpjegojnë ngjarjet e fundit. Jo aq, ama është e sigurt se ky besim ndihmon në zbutjen e tensionit judeo-kristian, që është një greminë e thellë në historinë perëndimore, dhe e kthen shenjën për nga muslimanët. Deklarimi i fundit i Netanjahut në Kongresin Botëror Sionist se Hitleri e mësoi holokaustin nga myftiu i madh i Jerusalemit ishte veza e fundit në fazën e inkubacionit të kësaj atmosfere të re. Ky absurd pas teorisë se Hitleri e mësoi gjenocidin prej deportimit armen të Perandorisë Otomane është vazhdim i përpjekjeve për t’ua hedhur fajin muslimanëve dhe për të shfajësuar veten.
E tëra kjo është qesharake për ne, por masat e mëdha, që mendimin e kanë të trajtësuar prej medias, nuk janë të vetëdijshme për këtë. Pavarësisht se sa qesharake dhe të trasha janë, teoritë më të pabesueshme mund të krijojnë një shoqëri besimtarësh me inxhinierinë e përshtatshme të shoqërisë.
Eshtë e qartë se sa të mira janë islamofobia dhe armiqësia ndaj Islamit për plagët e tyre të pashërueshme. Në rregull, a e shohim rolin e Daesh-it në këtë plan, që po bën gjithçka për ta rënduar më tepër islamofobinë dhe armiqësinë ndaj Islamit?