Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, nisi sot vizitën e tij dyditore në Kosovë, me ftesë të homologut Kadri Veseli. Ata theksuan se kanë diskutuar për mundësitë e intensifikimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe dy vendeve.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë është pritur në takime nga homologu i tij kosovar, Kadri Veseli, Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetarët e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë, Kadri Veseli dhe Gramoz Ruçi, pas takimit të mbajtur në Prishtinë njoftuan se Kuvendet e të dyja vendeve do të formojnë një komision të përbashkët për zgjedhjen e problemeve legjislative, duke përfshirë edhe shkëmbimin e studentëve, lejen e qëndrimit dhe regjimin doganor.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi, nisi sot vizitën e tij dyditore në Kosovë, me ftesë të homologut Kadri Veseli. Ruçi në këtë vizitë zyrtare është i shoqëruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Pas takimit, dy homologët Veseli dhe Ruçi në një konferencë të përbashkët për media theksuan se kanë diskutuar për mundësitë e intensifikimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe dy vendeve.
Veseli gjatë fjalës së tij tha se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i bashkon asgjë më shumë se integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian (BE) si dy shtete të pavarura dhe sovrane.
“Në aspektin politik, diplomatik qoftë brenda integrimeve rajonale, qoftë integrimeve në BE e deri në OKB, Republika e Shqipërisë është avokati kryesor i joni krahas partnerëve tanë perëndimorë, veçanërisht të SHBA-ve dhe vendeve perëndimore të BE-së, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe e ndihmojnë dhe promovojnë Republikën e Kosovës si vend i cili është paqësor dhe vend i cili është demokratik”, tha Veseli.
Veseli po ashtu tha se brenda një viti do të krijojnë një komision të përbashkët në mënyrë që në vitin e ardhshëm akademik të ndodhë shkëmbimi i studentëve të të dyja vendeve, duke theksuar gjithashtu edhe çështjen e shkëmbimeve tregtare që mallrat të kalojnë pa barriera burokratike.
Ndërkaq, kryeparlamentari i Shqipërisë tha se kjo vizitë e parbashkët me tre krerët e grupeve parlamentare të Shqipërisë është prova më e mirë që Tirana është unike kur është fjala për Kosovën.
Ruçi theksoi se këto vizita duhet të shërbejnë për të zgjidhur problemet e ndryshme me të cilat përballen qytetarët e Kosovës dhe bëri thirrje që akterët politikë të Kosovës ta zgjidhin çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Ne inkurajojmë përpjekjet që bëhen në Kosovë për sa i përket çështjes së demarkacionit dhe e dimë se është problem i vështirë, ka një debat politik midis forcave politike dhe i inkurajojmë ato që të shikojmë tej interesave të thjeshta partiake dhe të mos e humbasim mbështetjen, veçanërisht atë të partnerëve tanë, siç janë SHBA-të dhe BE-ja”, tha Ruçi.
Ruçi: BE nuk duhet t’i lë në një ishull të izoluar qytetarët e Kosovës
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi u prit në takim edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai pas takimit me kryeparlamentarin Ruçi tha se është i nderuar që pret në takim kryeparlamentarin Ruçi me tre shefat e partive parlamentare të Shqipërisë.
“Dëshira jonë gjithnjë është që këto shkëmbime të krijojnë më shumë përmbajtje për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas. Të kemi më shumë përmbajtje dhe përvojë në shkëmbimin dhe bashkëpunimin ndërparlamentar të cilat i kanë trajtuar me kryetarin e Parlamentit por edhe mes ekzekutiveve të dy qeverive por edhe në rrafshin njerëzor që unë u angazhova që kjo të ndodhë”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, kryeparlamentari Ruçi tha se ka uruar kryeministrin Haradinaj për detyrën e re duke inkurajuar që Qeveria e re e Kosovës të përmbushë me sukses gjithë atë pritshmëri që ka gjithë komuniteti kosovar. Ai po ashtu theksoi se përbërja e të gjitha komuniteteve në pozitat e ministrave e deri tek zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës është një gjë mjaft pozitive.
Ruçi tha se të dyja parlamentet e dy vendeve tona pra të Kosovës dhe Shqipërisë do të bëjnë të gjitha përpjekjet e duhura për të unifikuar në BE dhe për t’i hequr barrierat burokratike që ekzistojnë në mes dy vendeve në rrugën e gjatë që ka Ballkani Perëndimor drejt integrimit në BE.
“Ne jemi dhe mbështesim një zgjidhje të BE-së, për çështjet e vizave të qytetarëve të Kosovës. Zgjidhja është që BE-ja nuk duhet t’i lë në një ishull të izoluar qytetarët e Kosovës që në gjithë Ballkanin Perëndimor të mos përjashtohet vetëm Kosova. Ne inkurajojmë të gjitha forcat politike që edhe çështja e demarkacionit që është vendosur të zgjidhet ngase kjo është pengesa. Por, unë mendoj që Kosova lidhur me liberalizimin e vizave i ka plotësuar të gjitha ato rekomandime që i ka bërë BE-ja”, tha Ruçi.
Thaçi dekoron kryeparlamentarin Ruçi me medaljen “Urdhri i Lirisë”
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me medaljen “Urdhri i Lirisë” për angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Thaçi, i cili priti në takim kryeparlamentarin e Shqipërisë, tha se e vlerëson lartë rolin dhe kontributin e kryeparlamentarit Ruçi në të gjitha legjislaturat e mëparshme të Parlamentit të Shqipërisë, si dhe angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për kontributin tuaj personal, unifikues dhe bashkues për gjithë spektrin politik në Shqipëri, në mbështetje të përpjekjeve të jashtëzakonshme në kohën e luftës, por edhe në përpjekjet e tranzicionit demokratik në Kosovë, të shpalljes së pavarësisë dhe gjithashtu edhe tash e di se Kosovën e keni një nga prioritetet kryesore kudo që shkoni si kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ua ndaj medaljen ‘Urdhri i Lirisë’”, tha presidenti Thaçi.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, duke falënderuar presidentin Thaçi theksoi se kjo është dekorata e parë që merr dhe e veçantë për të, sepse ia ndan Presidenti i Kosovës. Ai shtoi se edhe pse i është ndarë atij personalisht, dekoratën e pranon në emër të të gjithë bashkëatdhetarëve në Shqipëri, pavarësisht nga spektri politik.
“Këtë vlerësim që ju bëni, e bëni për të gjithë spektrin politik shqiptar, pasi kanë qenë të gjithë deputetët shqiptarë, të gjitha partitë politike shqiptare, në fund të fundit kanë qenë të gjithë shqiptarët, që ka qenë ëndrra e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës të bëhet realitet”, tha Ruçi.