Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shfaqur gatishmërinë që Kosova t’i riatdhesojë kosovarët, që janë rekrutuar dhe kanë shkuar në luftërat në Siri dhe Irak, krahas organizatave terroriste.
“Kosova është atdhe i të gjithëve dhe jemi të gatshëm t’i riatdhesojmë të gjithë që duan të kthehen. Kosova e merr përgjegjësinë që ta sigurojë jetën e të gjithëve”, tha Haradinaj gjatë prezantimit të raportit të UNDP-së rreth faktorëve shtytës dhe tërheqës për kosovarët që të marrin pjesë në luftëra të huaja.
Haradinaj tha se përhapja e ideologjive ekstremiste fetare në Kosovë ka ardhur si pasojë e “hapjes së Kosovës” pas përfundimit të luftës.
Por tani ai tha se kosovarët i kanë mësuar efektet e ideologjive ekstremiste.
“Nuk mundet askush që t’i mashtrojë në pakufi qytetarët e Kosovës me ideologji. Kosovarët e kanë kuptuar se këto janë ideologji të rrejshme që bëhen me qëllim të manipulimit të qytetarëve tanë”, tha ai.
Raporti përfshin intervista me të dënuar nga gjykatat e Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe me familjarë të tyre.
Alessandra Roccasalvo nga UNDP-ja tha se intervistimi i tyre ka qenë një proces i komplikuar.
Ajo paralajmëroi se Kosova do të përballet me sfida në momentin kur luftëtarët kosovarë do të fillojnë të kthehen nga frontet e luftës.
“Edhe Kosova ballafaqohet me problemet e njëjta si çdokund në Evropë për kthimin e luftëtarëve të huaj. Është një sfidë e vështirë për agjensitë e sundimit të ligjit meqë nuk dimë shumë për këta individë”, tha Roccasalvo.
Hulumtimi i publikuar sot thotë se largimi i kosovarëve drejt Sirisë ka filluar në vitin 2012 dhe ka vazhduar edhe më tej deri në vitin 2015.
Deri më tani mbi 60 kosovarë janë vrarë në frontet e luftës në Siri e Irak, ndërsa mbi 120 janë kthyer në Kosovë.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/haradinaj-jemi-te-gatshem-t-i-pranojme-ne-atdhe-kosovaret-qe-shkuan-ne-isis-468080/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright