Afrim, 22, punon në një nga shumë dyqanet në pazarin e vjetër të Shkupit dhe nuk duket i interesuar për politikë në vështim të parë. “Mos me pyet, nuk merrem me këtë punë,” thotë ai.
Por pas një bisede të shkurtër mbi muzikën dhe vajzat, ai hapet te zhvillimet më të fundit politike – dhe se si këto zhvillime ndikojnë në jetën e tij.
“Shiko përreth. Pazari është krejt i shkatërruar, i neglizhuar dhe i pandriçuar natën. Kjo tregon se sa shumë ua ndjen atyre [politikanëve]… të vjedhin para është synimi i tyre.
Unë nuk votoj… por do të votoja nëse më ofrohej diçka e ndryshme, një perspektivë më e mirë,” shtoi ai.
Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh të Maqedonisë dhe që nga konflikti i armatosur i vitit 2001, dy parti kanë dominuar skenën e politikës së shqiptarëve.
Partneri aktual në qeverisje, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, e cila u ngrit nga udhëheqësia e kryengritjes së vitit 2001, dominon. Kjo parti ka qëndruar në pushtet në pjesën më të madhe të dekadës së fundit në koalicion me partinë kryesore maqedonase VMRO DPMNE.
Konkurrenti i saj më i ashpër, është Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, forca kryesore në opozitë.
Por supermacia e BDI aktualisht është në pikëpyetje po aq shumë sa edhe e ardhmja e PDSH.
Në qershor, një parti e re shqiptare, Besa, mblodhi mijëra protestues kundër qeverisë në Shkup duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Nikola Grievskit dhe marrjen e përgjegjësisë nga ministrat e BDI.
Në korrik, Zijadin Sela, një figurë udhëheqëse te PDSH krijoi një parti të re pasi dështoi në tentativën për të marrë kontrollin mbi partinë e tij të vjetër.
Në fund, këtë javë, dy anëtarë të rëndësishëm të BDI, kryetari i asamblesë së përgjithshme të partisë Zuluf Adili, dhe Gëzim Ostreni, ish sekretar i përgjithshëm, thanë se po ndaheshin për të krijuar një parti të re, shenjë e mosmarrëveshjeve në rritje me kreuin e BDI Ali Ahmeti.
Partitë e reja po shfaqen ndërkohë që Maqedonia po ecën drejt zgjedhjeve të parakohëshme prillin e ardhshëm. Shqiptarët e Maqedonisë duken të hapur ndaj idesë së aktorëve të rinj politikë në skenë.
“Kjo mund të jetë diçka e mirë. Sa më shumë të jenë, aq më shumë mundësi zgjedhjeje ke,” thotë Jetoni, një i ri në të tridhjetat që po del me familjen e vet për pazar në pjesën e vjetër të qytetit.
“Ne nuk kemi besim më te askush. Ata janë të gjithë njësoj, nuk mendojnë për popullin,” shtoi bashkëshortja e tij.
Samiu, 54 vjeç, pronar dyqani, thotë se trazirat politike gjithsesi nuk japin shumë shpresë. “Ata janë të njëjtët njerëz vetëm me një parti të re, në përpjekje për t’u shfaqur si të ndryshëm,” tha ai.
“Ata flasin për të drejtat e shqiptarëve dhe mirëqënie ekonomike por ndërkohë luajnë lojën e vet dhe përpiqen të na ndajnë [shqiptarët nga maqedonasit] ndërsa njerëzit po vuajnë.”
Pavarësisht ndasive, dy gjëra bashkojnë si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët: papunësia e lartë, e cila zyrtarisht është 28 për qind, dhe shkalla e varfërisë, e cila sipas OKB-së është 30 për qind.
Xhafi, një berber, tha se Çarshia, pazari i vjetër, është një shembull se si maqedonasit mund të jetojnë sëbashku.
“Këtu ka turq, shqiptarë dhe maqedonas, që të gjithë duke jetuar nën të njëjtën çati si miq, pa ndasi, thjeshtë bashkëjetesë mes njerëzve normalë,” tha ai.
Blerësit në zonë i thanë BIRN se partitë e vjetra i kanë zhgënjyer që të gjithë. “Ta zemë se fiton partia ime. Atëherë unë marr një vend pune. Nëse fiton partia jote, unë pushohem në mënyrë që ti të marrësh vendin tim të punës,” tha një blerës në dyqanin e Jetonit.
“Kjo nuk është mirë për të rinjtë… dikush duhet t’i japë fund kësaj… nëse partitë e reja e bëjnë këtë, unë do të votoj për ta,” tha blerësi.