NATO urdhëron KFOR-in t’i mbyllë rrugët alternative

Komanda e NATO-s në Napoli ka urdhëruar KFOR-in që t’i mbyllë të gjitha rrugët alternative në Leposaviq dhe Zubin Potok, të cilat i kanë përdorur serbët lokal derisa mbaheshin të bllokuara pikat kufitare me Serbinë në këtë pjesë të Kosovës.

Kështu ka deklaruar i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Slavisa Ristic. Ai ka thënë se këtë lajm ia ka dhënë komandanti i KFOR-it në veri të Kosovës Adolf Conrad.

 

Pas takimit me komandantin Conrad, me kryetarët ilegal të tri komunave me shumicë serbe në veri, Ristic ka thënë se “ky vendim është arritur në bashkëpunim edhe me xhandarmerinë e Serbisë”.

 

“Ne i kemi thënë komandantit se ky vendim është i papranueshëm për serbët e veriut, pavarësisht se me kë është arritur marrëveshja” ka thënë Ristic, duke shtuar se “të gjitha rrugët që e lidhin Kosovën me Serbinë qendrore janë legale dhe se ato do të vazhdohet të shfrytëzohen nga serbët lokal”.

 

Ristic ka thënë se KFOR-i nuk mund t’i detyrojë serbët e veriut të kalojnë nëpër derën (pikën kufitare) ku ndodhen doganierët dhe policët e Republikës së Kosovës.

 

Përgjegjës për vijën kufitare të Kosovës është KFOR-i, ndërkaq këto rrugë vazhdojnë të shërbejnë për strukturat paralele të Serbisë kryesisht për kontrabandë dhe krim të organizuar./kohaislame/




Artikulli paraprakThemelohet Samsung Display
Artikulli vijuesPartia e Drejtësisë kandidon me Bujar Ademin në Ferizaj