Nesër bëhen publike rezultatet e para të komisionit për matjen e territorit

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka njoftuar me anë të një komunikate se nesër, e marte, do të bëjë prezantimin publik të gjetjeve, njofton Klan Kosova.

“Prezantimi publik i të gjitha të dhënave, materialeve dhe gjetjeve do të bëhet më 21 shkurt 2017, në ora 10:00, në mjediset e Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq rreth këtyre gjetjeve do të ketë diskutim publik, që do të zgjasë nga 21 – 24 shkurt 2017.

Kështu është vendosur në takimin e sotëm të mbajtur nga komisioni i ekspertëve ku edhe u bënë përgatitjet e fundit për prezantimin e Draft-raportit para se t’i prezantojë publikisht gjithë dokumentacionin dhe rezultatet profesionale, shkencore dhe menaxheriale që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës.

Komisioni në këtë kumtesë për media ka njoftuar edhe për dorëheqjen e gjeografit Fitim Humolli.

“Përfaqësuesi i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore e braktisi në mënyrë demonstrative takimin vetëm pak minuta pas fillimit të tij ende pa filluar prezantimi profesional i Draft-raportit dhe me këtë rast, e deklaroi dorëheqjen e tij nga ky Komision”.

Dorëheqjen nga ky komision Humolli e ka konfirmuar edhe për Klan Kosovën.

Ai, në shpjegimin e arsyeve për dorëheqje nga ky komision, tha se matja e territorit në kushte të tilla është e pamundur.

Humolli shtoi se madje edhe vet arsyeja e pjesëmarrjes së tij në këtë komision ishte që të shpjegonte se matja ishte e pamundur dhe që t’i bindte anëtarët e komisionit dhe nëpërmjet tyre Qeverinë e Kosovës të tërhiqeshin nga ide të tilla.

Matja e territorit të vendit ishte iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se kjo matje nuk do të marrë shumë kohë dhe se me anë të këtij procesi do t’i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur apo jo territor shteti i Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, njofton Klan Kosova.

Artikulli paraprakPas dorëheqjes së Humollit, pritet shpërbërja e Komisionit për matje të territorit?
Artikulli vijuesA e dini pse nuk mund të qeshni në fotot për pasaportë?