Pazar me tema të diplomës (Video)

Një pjesë e studentëve të Universitetit të Prishtinës edhe pse kanë kryer të gjitha provimet nuk janë aftësuar që të përgatisin vetë temën e diplomës.

Kjo tregon për cilësinë e studimeve dhe kriteret e profesorëve të UP-së për këta studentë. Por të tillët gjejnë zgjidhje lehtë, sepse të tjerët punojnë për ta.

Duke e marrë parasysh këtë situatë, ka individë që po përfitojnë materialisht duke shitur punime diplome për këtë kategori të studentëve. E për t’i gjetur këta shitës nuk është fare e vështirë. Mjafton të kërkosh në rrjetet sociale, apo në web-faqe të marketingut ku gjen me dhjetëra mundësi për ta blerë temën e diplomës.

Ekipi i Preportr ka hulumtuar tregun e shitjes së diplomave dhe ka dëshmuar me audio dhe video rrugët nëpër të cilat kalojnë studentët të cilën blejnë tema të diplomës.

Përmes web-faqeve të marketingut dhe rrjeteve sociale Preportr ka kontaktuar me disa prej atyre që bëjnë dhe shesin tema të diplomës për të tjerët. Ata kanë forma të ndryshme të kontaktit, përmes numrit të telefonit, e-mailit dhe rrjetit social Facebook.

Shitësit e diplomave ofronin mundësi të ndryshme që nga punimi i një teme nga fillimi, por preferonin të na propozonin temat që i kanë të gatshme, që vetëm i duhet bërë ndërrimi i faqes së parë.

Ata shprehnin gatishmëri që të punonin tema të drejtimeve të ndryshme, pavarësisht profesionit të tyre. Çmimi për një temë të nivelit bachelor për drejtimet e fakultetit ekonomik dhe filozofik varionte nga 150 deri në 250 euro.

Shumë shitës së temave të diplomës kishin zgjedhur web-faqe të marketingut ku reklamohen produkte të ndryshme për të zhvilluar biznesin e tyre. Preportr ka kontaktuar me disa prej tyre. Fillimisht me një grua që ishte e gatshme të na e siguronte diplomimin. Pasi i treguam se na nevojitet një temë për Fakultetin Ekonomik në drejtimin menaxhment, ajo na propozoi disa tema që i kishte të gatshme, por thoshte se mund të na e punonte edhe një temë nga fillimi.

“Temat unë i kom në shtëpi në laptop e t’i qoj me mesazh ato qe i kom të gatshme, ti fol me profesorin vendos dhe më tregon. Për bachelor tema kushton 250 euro, por nëse e merr të gatshme të kushton 200 euro. Për temë të ndihmoj për ndonjë përmirësim deri sa ta pranon profesori”, thotë ajo.

Punimi dhe shitja e diplomave siç shihet është bërë biznes goxha i mirë. Kjo e ka shtyrë edhe një pensionist të merret me këtë punë. Ai ka bërë njoftime në web-faqe të marketingut për këtë shërbim. Ai ishte i gatshëm që të na përgatisë një temë diplome nga fillimi, ndërsa na premtonte që tema do të na dalë shumë e mirë dhe nuk do të ketë asnjë problem me profesorin.

“Nuk është fare problem për ta punu një temë për sociologji. E mira kish me qenë me shkru ju temën. Shërbimi për me përpilua unë prej fillimi kuptohet është pak ma ndryshe. Unë kisha propozu mu ulë me fol më për së afërmi. Me thënë të drejtën unë nuk jam i shtrenjtë, 200 euro shkon me e përpilua unë krejt. Për master e kom 300 euro. E finalizoj krejt e ki të gatshme”, thotë ai.

Për dallim prej dy të parëve, personi i tretë që e kemi kontaktuar kishte shpallur njoftim në rrjetin social Facebook se punon tema të diplomës. Aty kishte lënë edhe një e-mail për kontakt. Bisedat e para ekipi i Preportr i ka realizuar përmes e-mailit, ku ka kërkuar informata mbi sigurimin e një teme të diplomës dhe çmimin e saj. Të nesërmen kemi pranuar një e-mail me konfirmimin se mund të na e bëjë temën e diplomës shumë shpejt.

“Po ne mundemi me ba temën! Me tregoni çfarë niveli të studimeve jeni bachelor apo master? Sa i përket çmimit për bachelor është 150 dhe përfshihet përmirësimi i temës deri sa të aprovohet! Mundesh me marr edhe me 120 euro mirëpo nuk asistoj në përmirësim”, na shkruan ai fillimisht në e-mail.
Pas disa kontakteve tjera përmes e-mailit, kemi ndërruar numrat e telefonit ku kemi diskutuar për detajet tjera rreth temës.

“Një temë për nivelin bachelor për sociologji e kam gati. Po du me qenë gjithçka në rregull, që me qenë edhe ti e kënaqur edhe profesori. Nuk ka ndodh që ndonjë profesor me ma refuzu ndonjë temë, por ka pasur raste kur kanë kërkuar të ndryshohet ndonjë kapitull”, thotë ai përmes telefonit.
Ekipi i Preportr ka lënë një takim me këtë person përballë Bibliotekës Kombëtare. Ai fillimisht na e prezantoi temën se çfarë përmban dhe si t’ia propozojmë profesorit në mënyrë që të marrim aprovimin për të njëjtën temë.

“Merrna me tema të ekonomisë, teknologjisë, por edhe temat sociale di me i perthoku”, thotë ai.

Gjatë takimit ai premtoi përkrahje deri në finalizimin e temës, ndërsa pagesën e kërkonte menjëherë si të aprovohet ideja e temës nga ana e profesorit.

“Me rëndësi është me ta aprovu ai titullin e temës. Kur ta aprovon mandej shkon ti i thu ky është drafti, nuk është final. Edhe ai e merr e kontrollon edhe mundet me pas naj vërejtje me heq ose me shtu diçka. Ti ato veç mi shkrun në letër ose mi tregon live apo përmes e-mailit dhe brenda një dite apo dy i kryejmë ato përmirësime”, thotë ai.

Ka edhe persona të tjerë që nuk kanë bërë shpallje për shitjen e temave të diplomës, por që këtë punë e bëjnë në rrethe më të ngushta. Preportr ka arritur që të bisedojë me një person që ka përgatitur dhe shitur tema të diplomës për kolegët e tij në fakultet.

“Tema ju kam bërë vetëm atyre që i kam njohur, disa i kam pasur kolegë të fakultetit, ka pasur raste kur dikujt që ja kam punuar një temë ma ka sjellë një shok të tij. Në përgjithësi mund të them se të gjithë atyre që ua kam përgatitur temat, ma kanë kërkuar një gjë të tillë sepse nuk kanë qenë në gjendje që ta punojnë vet temën. Ka pasur raste kur të njëjtën temë me disa ndryshime të vogla strukturore e kam bërë 3-4 herë tek i njëjti profesor brenda një viti. Por ka pasur raste kur e kam bërë një temë nga fillimi”, thotë ky person.

Disa profesorë mentorojnë deri në 80 studentë brenda vitit, disa vetëm 1

Ata që kanë vendosur të diplomojnë me tema të blera si duket nuk e kanë problem se a u pranohet tema apo jo, kjo për faktin se profesorët tek të cilët ata kanë për të diplomuar kanë numër të madh të kandidatëve dhe rrjedhimisht e kanë të pamundur të merren në detaje me secilën temë veç e veç. Në këtë mënyrë ka mundësi që shumë studentë të diplomojnë tek i njëjti profesor me temën e njëjtë.
Preportr ka arritur të sigurojë numrin e temave të mentoruara për secilin profesor të fakultetit ekonomik dhe juridik në Universitetin e Prishtinës nga viti 2015 deri në maj të vitit 2017.

Sipas të dhënave zyrtare nga Rektorati i UP-së, 49 profesorë të Fakultetit Ekonomik kanë mentoruar rreth 1835 tema të diplomës për dy vite e pesë muaj.
Mirvete Badivuku është profesoreshë në Fakultetin Ekonomik dhe prorektore për financa në Universitetin e Prishtinës, ku e ka edhe orarin e plotë. Pavarësisht angazhimeve të shumta, ajo del të jetë profesoresha që ka mentoruar më së shumti kandidatë për periudhën 2015-maj 2017. Në këtë periudhë ajo ka mentoruar 148 tema të diplomave, 136 prej tyre në nivelin bachelor dhe 12 në nivelin master.Ajo thotë se pavarësisht ngarkesës së madhe, i kontrollon në detaje secilën temë deri në fazën finale

Sipas saj, vendimi i Këshillit të Fakultetit Ekonomik që një profesor të mentorojë vetëm 50 tema brenda një viti në nivelin bachelor do të ndikojë që një pjesë e profesorëve të mos ngarkohen shumë.

“Vendimi që një profesor me i mentoru vetëm 50 tema brenda një viti e ka bërë shpërndarjen e kandidatëve tek profesorët. Është obligim i profesorit me marrë kandidatë për diplomim. Dekani i ka përcaktuar edhe komisionet që marrin pjesë në diplomim, e jo si deri tani profesori me zgjedh kë dëshiron ta ketë në komision”, ka thënë Badivuku.

Për dallim nga Badivuku ka profesorë në po të njëjtin fakultet që kanë mentoruar vetëm një ose tri tema brenda të njëjtës periudhë kohore. Ndër ta janë Isa Mustafa, i cili ka mentoruar vetëm një temë masteri, Nimete Berisha me vetëm një temë në nivelin bachelor, Hykmete Bajrami me dy tema bachelor etj.
Sekretari i Universitetit të Prishtinës Esat Kelmendi ka thënë për Preportr se limiti që ka përcaktuar Fakulteti Ekonomik se një profesor mund t’i mentorojë vetëm 50 tema brenda një viti në nivelin e studimeve bachelor, mund të rritet për shkak të kërkesave të mëdha të studentëve dhe faktit se ata po mbesin në pritje për disa muaj.

Situatë thuajse e njëjtë është edhe në Fakultetin Filozofik, ku për dy vite e pesë muaj janë mentoruar 1996 tema të diplomës nga 51 profesorë.

Lulzim Dragidella është një nga profesorët që ka mentoruar më së shumti studentë në dy vitet e fundit. Tek ai në këtë periudhë kohore kanë diplomuar hiq më pak se 143 studentë të nivelit bachelor.

Dragidella ka thënë për Preportr se ndoshta ky numër aq i madh i studentëve që ka mentoruar është për shkak se ka qenë i vetmi profesor në departamentin e Punës Sociale. Megjithatë ai e pranon se kur ka aq shumë tema në mentorim, cilësia është më e dobët dhe se mund të kalojë ndonjë temë që është plagjiaturë dhe tema që e kanë blerë studentët nga ata që e kanë biznes këtë punë.

“Numri është i madh edhe i studentëve, pastaj ne jemi të angazhuar shumë edhe me orë mësimore, të gjitha këto ndikojnë në kualitetet, në mbikëqyrje, mentorim dhe kualitetin e punimeve. Nëse profesorët janë të ngarkuar, atëherë mundësia për me kalu ndonjë temë që nuk është plotësisht në rregull ekziston”, u shpreh profesori Lulzim Dragidella, profesor në Fakultetin Filozofik

Ai thotë se luftimi i dukurisë së shit-blerjes së temave të diplomës duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe të ndërmerren masa për aplikimin e teknologjisë për të parandaluar këtë dukuri.

“Është një problem që duhet me u marrë institucionet përkatëse, sepse nuk zgjidhet individualisht nga një apo dy profesorë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Fakultetit Filozofik, kemi diskutuar lidhur me rëndësinë e një softueri në të cilin do të futeshin punimet sidomos të masterit”, thotë Dragidella.
Në po të njëjtin fakultet ka profesorë që kanë mentoruar vetëm një ose dy tema të diplomës përgjatë të njëjtës periudhë kohore siç është rasti i Ardita Devollit, Kristë Shtufit etj.

Krim i organizuar ndaj cilësisë së arsimit

Përkundër lulëzimit të dukurisë të shit-blerjes së temave të diplomës, institucionet e arsimit të lartë nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë konkrete për të parandaluar ose dënuar atë.

Të gjithë individët që shesin tema që ka kontaktuar Preportr kanë thënë se nuk ka ndodhur ndonjëherë që punimet e tyre të kthehen prapa ose të dyshohen për plagjiaturë. Pavarësisht që aktiviteti i tyre është i njohur, këta persona po e zhvillojnë atë pa u penguar nga askush.

Kjo edhe për faktin se shumica e profesorëve në Universitetin e Prishtinës mentorojnë shumë tema të diplomës brenda vitit, gjë që e bënë thuajse të pamundur të verifikohen mirë ato. Asnjë profesor deri më tani nuk e ka denoncuar në rektorat ndonjë temë diplome për plagjiaturë.

Menaxhmenti i rektoratit përmes një përgjigje me shkrim ka thënë për Preportr se nuk është në dijeni për dukurinë e shit-blerjes së temave të diplomës. Ata kanë thënë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë informacion apo lajmërim, as nga profesorët dhe as nga studentët për raste të tilla, që i quajnë të shëmtuara.

“Meqenëse nuk kemi pasur raste të tilla nuk ka pasur as masa disiplinore, porse, në secilin rast që do dëshmohej një veprim i tillë, pa hezitim do merren masa sipas dispozitave statutare të UP-së. Kjo dukuri është rreptësisht e ndaluar dhe është veprim i sanksionuar me ligj dhe i ndëshkueshëm sa herë që do të vërtetohej”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të UP-së.

Dukagjin Pupovci njohës i çështjes së arsimit dhe profesor i angazhuar në UP, ka thënë për Preportr se biznesi me tema të diplomës po bëhet edhe për shkak se nuk ka mbikëqyrje sa duhet nga ana e profesorëve dhe se një numër i konsiderueshëm i mentorëve mjaftohen me atë që punimin ta shohin për herë të parë në ditën e mbrojtjes së tij, në vend se ta përcjellin punën e studentit nga momenti kur e merr temën e diplomës deri në momentin kur e përfundon, duke e këshilluar dhe mbikëqyrë në mënyrë të vazhdueshme.

“Bëhet fjalë për një formë të krimit të organizuar ndaj cilësisë së arsimit. Këta që punojnë tema të diplomës me para janë kryerësit e krimit, ata që i blejnë e ndihmojnë krimin, ndërsa ata që tolerojnë një dukuri të tillë janë bashkëpjesëmarrës”, thotë Pupovci.
play
Ai mendon se dukuria e blerjes së temave të diplomës po ndodhë edhe për shkak të tejngarkesës me punime të diplomës, sidomos në ato fakultete ku ka pak profesorë dhe shumë studentë. Ai thotë se në rastin më të mirë, te këta profesorë kalohet me tema me cilësi të dobët, ndërsa në rastin më të keq me tema të diplomës të blera.
“Në të dy rastet është studenti ai që e pëson më së shumti, sepse i përfundon studimet pa u aftësuar ta bëjë një hulumtim të thjeshtë dhe këtë mangësi do ta “paguajë” më vonë, kur të punësohet, respektivisht kur të ketë dëshirë për t’i vazhduar studimet”, theksoi Pupovci.
Ai thotë se duke marrë parasysh këtë situatë, UP-ja duhet të ndërmarrë masa konkrete për ta parandaluar dhe luftuar këtë dukuri që e dëmton rëndë cilësinë e arsimit.
“Nga secili student duhet të kërkohet që punimin e diplomës ta dorëzojë në formë elektronike për të krijuar një databazë të punimeve të diplomës. Pastaj, me një softuer të specializuar mund të kontrollohet nëse ndonjë punim është i plagjiarizuar dhe të merren masa ndaj shkelësve të normave etike”, u shpreh profesori Pupovci.

Legjislacioni penal në Kosovë nuk parasheh vepra penale për mashtrimin akademik

Avokati Kushtrim Palushi ka thënë për Preportr se dukuria e shit-blerjes së temave të diplomës është mashtrimi akademik nga ana e studentëve dhe krahas plagjiaturës nga ana e personelit akademik, janë dy prej problemeve kryesore që kanë të bëjnë me cilësinë e studimeve që ofron Universiteti i Prishtinës.
“Fatkeqësisht legjislacioni penal në Kosovë nuk parasheh vepra penale në lidhje me mashtrimin akademik, ndërsa definimi aktual i veprave të tjera është shumë i ngushtë për të përfshirë edhe mashtrimet që bëhen nga studentët dhe palët e treta në universitet për të arritur tituj akademik pa meritë”, thotë Palushi.

Ai thotë se statuti i UP-së në nenin 9 përcakton se “stafi akademik dhe administrativ i Universitetit dhe studentët duhet të sillen në përputhje me standardet më të larta të përkushtimit, integritetit, objektivitetit, përgjegjësisë, sinqeritetit, ndershmërisë dhe udhëheqjes.” Në anën tjetër, në bazë të nenit 23, Këshilli Drejtues i UP-së ka për detyrë të nxjerrë rregullore, ndër të tjera, edhe për “masat dhe procedurën disiplinore për personelin akademik dhe studentët”.

“Senati në anën tjetër, në bazë të nenit 48 duhet të vendos për kriteret për përjashtimin e studentëve. Deri më tash, nuk jam i sigurt nëse UP dhe organet përgjegjëse të saj kanë nxjerrë rregullore dhe politika të veçanta për verifikimin dhe sigurimin e cilësisë së temave të diplomës bachelor dhe master. Neni 117, paragrafi 2 i Statutit të UP-së thekson se punimi i diplomës për bachelor punohet individualisht nga studenti. Rrjedhimisht, nëse një student dorëzon një temë të diplomës që nuk e ka punuar ai, i njëjti është duke shkelur rëndë këtë dispozitë të Statutit”, thotë Palushi, duke shtuar se ngjashëm neni 118, paragrafi 2, thekson se punimi i temës së diplomës për master duhet të bëhet nga studenti individualisht.

Përfundimisht, neni 134 i Statutit të UP-së parasheh që senati mund t’ia heq titullin një bartësi nëse i njëjti ka falsifikuar apo mashtruar gjatë vlerësimit ose provimit, në rast të plagjiaturës apo shkeljes së të drejtës së autorit në përgatitjen e temës së diplomës apo punimit tjetër me shkrim, si dhe në rast të praktikës tjetër jo etike.

“Shitësit ose ata që hartojnë tema të diplomave për llogari të studentëve janë duke e asistuar mashtrimin akademik nga studentët dhe në rast se studentët fillojnë të japin llogari dhe të pësojnë nga veprimet e tyre dhe të shitësve të diplomave, kjo dukuri mund të zhduket”, theksoi avokati Palushi.

Artikulli paraprakHamza: Nga 1 janari do të ketë rritje të pagave
Artikulli vijuesSi të bëhesh milioner përpara se të jesh 30 vjeç