Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar Qytetarët e Kukësit me Urdhrin e Lirisë, si shenjë falënderimi për strehimin që ata bënë për qytetarët kosovarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai me këtë rast tha se falë solidaritetit dhe ndjenjës së pastër atdhetare, në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë, kosovarët e dëbuar gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare.
“Falë solidaritetit dhe ndjenjës së pastër atdhetare, në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë, kosovarët e dëbuar gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare. Për qytetarët e Kukësit sot do të ndajë medaljen ‘Urdhri i Lirisë”, tha Thaçi.
Për më tepër ai theksoi se historia e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë ka ndërruar rrënjësisht për të mirë.
“Pavarësisht se jemi një komb në dy shtete, ne nuk kemi alternativë tjetër përpos integrimeve euroatlantike”, tha ai.
Ndërsa kryetari i bashkisë sa Kukësit Bashkim Shehu tha se sot është një ditë e shënuar për gjithë banorët e Kukësit.
“Kukësi nderohet për vlerat e larta dhe humanizmin ndaj vëllezërve të Kosovës. Kukësi me gjithë rajonin hapen dyert dhe zemrat në formë të natyrshme për vëllezërit e tyre. Sot në mesin tonë është i nderuari presidenti Thaçi.
Në atë kohë vinte si luftëtar i UÇK-së, sot vjen të na nderojë si president i Kosovës së lirë e të pavarur. Kosova di të nderoj. Kosova nuk harron të kaluarën e vet. Kosova nuk e harron Kukësin dhe kuksianët. Nderimi i sotëm është shenjë kujtese për vitin 1999. Një ditë e tillë le të shpallet si ditë kombëtare e humanizmit”, është shprehur ai./KP/