SHENIM/ Tubimi më i madh në historinë politike turke, Erdogani: Ju jeni heronj!

Nga Bujar M. Hoxha

E jashtëzakonshme masa e pamatë e njerëzve dje në Jenikapë të Stambollit. Vala e të ardhurve do të niste që në orët e para të mëngjesit, për të përmbytur bulevardin Vatan e për të përfunduar gjer poshtë, aty ku pasdite mijëra vetë do ta kishin të pamundur të bënin më tutje.

Si u mposht puçi ushtarak i 15 korrikut? Nuk ka sekret tjetër, vetëm nga këta njerëz, që atë natë lanë shtëpi e katandi për të dalë në rrugë e për t’u thënë ndal tankeve të tradhtarëve!

Askund nuk ka ndodhur diçka e tillë, askund nuk ka ngjarë që një popull ta zmbrapsë një puç me forcën e kurajës, vendosmërisë, vetëmohimit e sakrifikimit të jetës!

Askund nuk ka ndodhur që një njeri t’u dalë përpara tankeve, të shtrihet nën to, të humbasë krahun, e kur presidenti t’i telefonojë, ai, njeriu i thjeshtë, por sypatrembur, t’i thotë, “Më lër mua, ti si je presidenti im?”

Pikërisht prandaj Erdogani do t’u thoshte milionave në miting: “Ju duhet të jeni krenarë për veten tuaj. Ju të gjithë jeni heronj! Historia do t’i kujtojë emrat e dëshmorëve tanë. Ne do t’i shkruajmë emrat e tyre me shkronja të arta.”

Përmasat e mitingut të djeshëm janë të jashtëzakonshme, jo aq për numrin e pjesëmarrësve, sa për mesazhet që ai përcolli.

Një Turqi e re ka lindur pas puçit të 15 korrikut, që i ka thënë jo tradhtisë, jo polarizimit.

Ashtu siç do të deklaronte dhe kryetari i opozitës, i pari i republikanëve të CHP-së, njeriu më i ashpër politikisht ndaj Erdoganit, Kemal Këllëçdarogllu: “Ka një Turqi të re pas 15 korrikut. Nëse mund ta çojmë më tej këtë fuqi dhe kulturën e pajtimit, ne do të lëmë një Turqi edhe më të mirë për fëmijët tanë.”

“Do të bëjmë më të mirën për ta ruajtur këtë unitet historik,” u shpreh kryeministri Binali Jëlldërëm. Për të, kjo ishte Lufta e Dytë e Pavarësisë për Turqinë!

“Falë Allahut dhe falë dëshmorëve tanë…, ne sot po jetojmë në këtë tokë të bashkuar në një, me nderin, pavarësinë dhe solidaritetin tonë të pacenuar,” do të nënvizonte ai.

Devlet Bahçeli, udhëheqësi i nacionalistëve të MHP-së, do ta përshkruante puçin e 15 korrikut si një përpjekje të re për të kryer një masakër, për ta pushtuar e shkatërruar Turqinë.

Por, siç tha ai, “Një udhëtim i ri fillon nga Jenikapëja!”

Të lë pa gojë vitaliteti i këtij populli, aftësia e tij për t’i bërë ballë së keqes. Shumëkund tjetër janë rrëzuar tradhtisht udhëheqës e pushtete legjitime, janë prangosur e janë shtypur mijëra njerëz, por askund nuk është reaguar si në Turqi.

Askund nuk i është thënë ndal së keqes kësisoj, duke u bashkuar i madh e i vogël, i varfër e i pasur, artisti, sportisti e njeriu i zakonshëm, i majti dhe i djathti, fetari dhe jofetari, laiku dhe jolaiku, i nxëni dhe i panxëni.

Tubimi i djeshëm gjigand ishte përmbyllja e një mësimi të madh të dhënë botës që natën e 15 korrikut. Për herë të parë mediat që nuk kishin lënë gjë pa thënë për tre javë rresht jo kundër puçit e puçistëve, por kundër Erdoganit e Turqisë, e mbyllën gojën. Nuk kishin nga t’ia mbanin, nuk kishin si të mashtronin, si të denigronin. Milionat e njerëzve në Jenikapë nuk të linin të gënjeje!

“Manifestim i madh kundër puçit në Stamboll,” lajmëronte BBC-ja.

Kaq mjafton! /tesheshi.com/

Artikulli paraprakMendësia materialiste si instrument në gjykimin e njerëzve
Artikulli vijuesWill Smith i kundërvihet klimës anti-muslimane gjatë turneut të filmit “Suicide Squad”