Siri: Opozita në Halep kundërshton propozimin për pezullimin e konflikteve

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë Mistura ka prezantuar ditë më parë planin për pezullimin e konflikteve në Halep.
 
Forcat e opozitës siriane në Halep e kundërshtojnë propozimin për pezullimin e konflikteve në atë rajon, të cilin pas negociatave me autoritetet siriane ka propozuar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë Steffan de Mistura.
Ish-komandanti i njësive kryengritëse në Halep, Vezit Ebu Yaman tha se forcat opozitare refuzojnë planin e Misturas sepse bëhet fjalë për një plan i cili është diktuar nga regjimi i Presidentit sirian Beshar al-Esad.
Yaman pretendon se forcave të Esadit u mungojnë ushtarët në shumë fronte dhe se pezullimin e përkohshëm të konflikteve në Halep do të shfrytëzonin për dërgimin e ushtrisë në Damask dhe Deraa.
“Plani i Misturas është rezultat i marrëveshjes së tij me regjimin e Esadit. Të gjitha njësitë të cilat luftojnë kundër këtij regjimi në Halep janë kundër planit të tillë. Regjimi do të shfrytëzonte shpejtë pezullimin e konflikteve në Halep”, porositi Yaman.
Ebu Juvd, një nga aktivistët kryengritës në Halep, ka porositur se është e papranueshme të negociohet me regjimin e Esadit i cili ka derdhur aq shumë gjak në vend.
“Edhe nëse do të zbatonim këtë plan, regjimi do të vazhdonte me vrasjet e vëllezërve tanë në pjesë tjera të vendit. Populli sirian është një trup dhe me ndihmën e Zotit do të luftojmë deri në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi”, ka thënë Ebu Juvd.
Muhammed Al Habebi, komandanti i grupit kryengritës “Njësia e Damaskut” në rajonin Saft ed-Devle të Halepit, pretendon se Mistura nuk ka të drejtë që në emër të opozitës të negociojë me Esadin për pezullimin e konflikteve në Halep, duke shtuar se plani i propozuar është i papranueshëm.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë Mistura ka prezantuar ditë më parë planin për pezullimin e konflikteve në Halep. Më vonë ka konfirmuar se në lidhje me këtë ka negociuar me autoritetet siriane dhe shtoi se ata vazhdojnë të jenë faktor esencial për negociatat në këtë vend. Ai shtoi se pas këtyre negociatave regjimi sirian ka pranuar të pezullojë sulmet ajrore ndaj Halepit për gjashtë javë.
Artikulli paraprakSiri, vritet shtetasi britanik duke luftuar përkrah forcave kurde
Artikulli vijuesNetanjahu i bëri thirrje Amerikës ti bashkëngjitet luftës së përbashkët kundër Iranit