Thaçi takon dëshmitarin e gjykatës speciale, ia dekoron vëllanë e vrarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri sot homazhe para varrit të Haki Imerit, aktivistit të LDK-së të vrarë në fshatin Turiqec të Skënderajt në nëntor të vitit 1999.

Thaçi tha se e ka dekoruar të ndjerin me urdhrin “Hero i Kosovës, Hero i Kombit”.

Menjëherë pas homazheve në varrezat e fshatit, Thaçi shkoi në shkollën fillore të Turiqecit ku po mbahet akademia përkujtimore kushtuar Imerit.

Deri në ditën e vrasjes, Haki Imeri ka qenë mësues në këtë shkollë.

Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, tha se ka dhënë deklaratë para prokurorëve ndërkombëtarë për vrasjen e vëllait të tij dhe se pret që kjo vrasje të trajtohet nga Gjykata Speciale e cila këtë vit pritet t’i lëshojë aktakuzat e para ndaj komandantëve të lartë të ish UÇK-së.

Haki Imeri ishte marrë nga disa persona në qendër të fshatit të tij në pikë të ditës më 1 nëntor 1999 ndërsa u gjet i vdekur një ditë më vonë në periferi të fshatit.

Duke folur për praninë e Thaçit në akademinë e sotme, Imeri tha se ka biseduar me të për vrasjen e vëllait.

“Thaçi ka garantu se nuk ka gisht dhe është i gatshëm mi bo bé” , tha Imer Imeri.

Në kohën e vrasjes së Imer Imerit, Hashim Thaçi ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e formuar nga përfaqësues dhe mbështetës të UÇK-së, por që nuk e mori asnjëherë mbështetjen e LDK-së.

Kur doli për të folur në këtë akademi, Thaçi përshëndeti përfaqësuesit e “gjithë spektrit politik në këtë hapësirë të Kosovës”.

Askush nga dega e LDK-së në Skënderaj nuk ka qenë i pranishëm në akademinë e sotme në të cilën mori pjesë nënkryetari i komunës Fadil Nura që vjen nga PDK.

Kjo degë e cilësoi “të pakuptimtë” pjesëmarrjen në një akademi të tillë “cinike’.

Në tubim nuk u pa gjithashtu asnjë përfaqësues i kryesisë qendrore të LDK-së.

Hashim Thaçi, që u prezantua në fjalim edhe si nxënës i të ndjerit Haki Imeri, e cilësoi atë si “një afrues i unitetit dhe intelektual”.

Thaçi e përmendi edhe kontributin e LDK-së në periudhën para luftës së UÇK-së.

“Sot e kujtojmë rezistencën aktive civile të padëgjueshmërisë qytetare të udhëhequr nga Presidenti Rugova”, tha ai.

Ndërsa Kastriot Imeri, djali i Haki Imerit, ka kërkuar që institucionet të mos e vonojnë zbardhjen e vrasjes së babait të tij.

“Kërkoj drejtësi institucionale, jo kanunore. Kërkoj nga institucionet, që me të vërtetë ta ndriçojnë vrasjen pas shpine të prindit tonë, dhe vrasjet te tjera që u bënë gjatë e pas luftës në Kosovë. Kërkojmë drejtësi nga institucionet ndërkombëtare. Jo nga këto vendore, të cilat udhëhiqen nga kriminelët”, tha Imeri në një postim në Facebook./kumti.com

Artikulli paraprakKëto produkte të Serbisë, mund të zëvendësohen lehtë me ato vendore (Foto)
Artikulli vijuesRusia kërcënim për rendin botëror