Zbardhen bisedat Bush – Blair për luftën në Irak

Tony Blair dhe George Bush kanë shkëmbyer korrespondenca “voluminoze” përpara ndërhyrjes ushtarake në Irak. Në ditët e sotme, Britania po përgatitet që t’i zbardhë bisedimet mes dy ish-liderëve.

Kjo do të bëhet në kuadër të transparencës lidhur me përfshirjen dhe rolin e Britanisë në këtë konflikt. Publikimi i dokumenteve, të cilësuara si sekrete, pritet që të ndodhë vitin e ardhshëm.

Thuhet se ekzistojnë mbi 100 dokumente, që përmbajnë procesverbalet e bisedimeve mes Bush dhe Blair. Në të përfshihen bisedat telefonike, takimet private dhe diskutimet ndërministrore.

Zbardhja e dokumenteve i hap rrugë një analize të thelluar për të parë vendimet politike dhe ushtarake të Britanisë në këtë konflikt.

Tpny Blair është kritikuar së tepërmi për vendimet dhe mbështetjen që i dha SHBA-ve për ndërhyrjen ushtarake në Irak. Ai ka qenë figura kryesore që ka propaganduar ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë në Irak.

Ndaj, historianët tashmë do të kenë material të bollshëm për të gjykuar rolin e tij në konflikt. Pavarësisht se inspektorët e OKB-së nuk gjetën asnjë lloj arme të shkatërrimit në masë në Irak, Blair vazhdoi të mbështeste administratën “Bush” për një ndërhyrje ushtarake ndaj Bagdadit, transmeton Shekulli.

Një zyrtar i qeverisë britanike tha se transparenca për luftën e Irakut nuk do t’i shkojë aspak për shtat Tony Blairit.

“Vitin që vjen do të bëhet transparenca e rolit të Britanisë në konfliktin e Irakut. Të gjithë presin ditë të vështira për Tony Blai-in”, tha ai. /kohaislame

Artikulli paraprakRamush Haradinaj dhe AAK janë njollë e Kosovës
Artikulli vijuesMos u zemëro