Ligji për Trepçën nuk mund të kontestohet për kah ana Kushtetuese nga ndonjë gjyqtar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar Besnik Berisha, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Berisha ka thënë se i vetmi institucion kompetent për interpretimin e përshtatshmërisë së një ligji apo akti nënligjor është Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Ligji për Trepçën është në përshtatshmëri të plotë kushtetuese dhe i njëjti nuk cenon asnjë të drejtë siç pretendohet në këtë komunikatë”, ka deklaruar Berisha.
Dhoma e Posaçme, ka shtuar ai, nuk ka autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe i nënshtrohet interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Prandaj pretendimi i një gjyqtari apo kushdo qofshin ata, mund të jetë një opinion personal që mund të shkaktojë një konfuzion, por asesi nuk mund të ndryshon statusin e Ligjit për Trepçën”, ka thënë Berisha.
Reagimi i tij ka pasuar një komunikatë të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ku thuhet se një gjyqtar i Supremes nga EULEX-it, Werner Kannenberg, ka konstatuar se Ligji për Trepçën është antikushtetues. Andaj, ai i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta shfuqizojë këtë ligj.
Sipas këtij njoftimi thuhet se deri te ky konstatim ai ka ardhur duke u mbështetur në arsyet të cilat bazohen në të drejtat themelore që e garantojnë pronën.
“Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, ka arsyetuar ai konstatimin e dhënë.
Së dyti, sipas tij, “pas shpalljes, Ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi dhe se ai i nxjerrë asetet e vlefshme nga Ndërmarrja Shoqërore, Trepça dhe i bartë ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapo krijuar aksionare, nga të cilat 80 për qind e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20 për qind në pronësi private”.
Krejt në fund, ky gjykatës i EULEX-it thotë se shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim.
“Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese (neni 113.8 i Kushtetutës), e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”, vjen në përfundim ky gjykatës i EULEX-it.
Ligji për Trepçën është kontestuar edhe nga Lista Serbe, por Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar këtë Ligj si Kushtetues.
Pas atij aktvendimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nënshkruar atë, kurse me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare konsiderohet se ka hyrë në fuqi. (REL)