Iu kundërpërgjigj lajmit se ka shpenzuar në pushime në Zvicër rreth 80 mijë euro, duke thënë se ka shpenzuar vetëm 7 mijë euro. Për tri ditë qejf me familje.
Madje, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me t’u kthyer në Prishtinë nga Saint Moritzi i Zvicrës tha se ka para edhe për dy a tri pushime të tilla, vetëm se nuk ka kohë.
Por Haradinaj është kryeministër i një populli të varfër. Një vendi ku një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në varfëri e varfëri ekstreme. Me nivelin më të lartë të papunësisë në këtë pjesë të Evropës.
Në të njëjtën ditë që Haradinaj po arsyetonte se ka shpenzuar para të veta, dhe atë vetëm 7 mijë për tri ditë pushim, nga Ministria e Financave ka ardhur kumti se nuk ka mundësi të mbështetet ideja e Këshillit Ekonomik Social për rritjen e pagës minimale në 250 euro për muaj. Aktualisht paga minimale është 170 euro. Kësisoj, shpenzimi i kryeministrit me familje për tri ditë pushime është e barabartë me më shumë se 41 paga ose 3 vjet e 5 muaj punë të një punëtori me pagë minimale në Kosovën që ai e udhëheq.
Vetëm pak ditë më parë kreu i ekzekutivit në vend mori vendim për t’ia ngritur pagën vetes dhe një pjese të kabinetit të Kryeministrit. Të vetën e dyfishoi. Ky veprim u kundërshtua ashpër nga media e shoqëria civile, por edhe nga kategori të ndryshme të të punësuarve në Kosovë.
Nga ana tjetër, kërkesës së sindikalistëve të arsimit iu përgjigj se nuk mund të presin rritje pagash prej më shumë se 4 për qind dhe se rritja duhet të jetë meritore. Kjo ngjalli reagime nga ta, që po kërcënojnë me grevë. Edhe shërbyesit civilë i kanë bërë thirrje sot kryeministrit Haradinaj “që t’i thërrasë mendjes” e të rrisë pagat e tyre. Aktorët, që vitin e kaluar kishin marrë premtime se do të kenë rritje pagash, ndjehen të mashtruar. Po ashtu kanë kërcënuar me grevë, e kërkojnë që pagat e tyre të nivelizohen me ato të profesorëve universitarë.
Nga ana tjetër, Shoqëria Civile kërkon transparencë të plotë nga Haradinaj, pasi rroga e kryeministrit, qoftë edhe me rritje, nuk i mbulon shpenzimet e tilla të një pushimi luksoz.
Mediat online raportuan se pushimi dimëror kryeministrit i ka kushtuar rreth 80 mijë franga, bashkë me familjen e tij 5 anëtarëshe dhe stafin ndihmës, që përfshinte mbrojtjen e afërt të kryeministrit. U tha se Haradinaj ka qëndruar në hotelin “Carlton” në fshatin turistik më të shtrenjtë në Evropë.