Njerëz pa përvojë pune e të atillë që nuk mund ta dëshmojnë që nuk janë nën hetime kanë garuar për postin e kryeshefit të Ujësjellësit “Prishtina”. Në mesin e atyre që janë në rrethin e ngushtë është edhe personi që sot ushtron detyrën e njëjtë në këtë ndërmarrjeje.
Express sjell dokumentet nga kjo garë, për të cilën ujësjellësi nuk e di se kur do të përfundojë
Gara për kryeshefin e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina” është bërë shumë e fortë dhe për të kanë shprehur interesim 16 persona, sipas listës që e posedon Gazeta Express.
Por, sipas dokumentit të miratuar nga Bordi i KRU “Prishtina” si persona që kanë dorëzuar dokumentet e tyre për këtë konkurs janë edhe të tillë që nuk mund ta dëshmojnë që nuk janë nën hetime, nuk i kanë certifikatën që dëshmon mos-përfshirjen e tyre në ndonjë hetim. Në këtë grup janë Arsim Mehmeti, Osman Sylani ,Ylber Zabergja dhe Florent Hoxha.
Dokumenti zbulon se po ashtu në këtë konkurs kanë aplikuar edhe persona që nuk kanë as përvojë pune, siç janë Bashkim Halabaku, Agron Haxhiu dhe Bekim Lushaku.
Në këtë konkurs bordi i KRU “Prishtina” deri tash ka miratuar për t’i ftuar në intervistë si kandidatë të mundshëm këta aplikantë: Kujtim Xhelili, Naim Krasniqi, Selim Lulaj, Bujar Sadiku, Bekim Jupa, Ilir Abdullahu.
Megjithëse emrat e tyre tashmë dihen, Bordi ende nuk ka vendosur një datë se kur do t’i intervistojë të njëjtit.
Zyra për informim në këtë institucion nuk ka dhënë po ashtu një datë se kur Ujësjellësi “Prishtina” do të ketë kryeshefin e ri.
“Bordi i Drejtorëve të KUR “Prishtina” sh.a. , intervistimin e kandidatëve të mundshëm për kryeshef ekzekutiv , do ta bëjë në përputhje me kushtet e konkursit që ka qenë publik, duke respektuar Ligjin e Ndërmarrjeve Publike dhe Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative mbi Ndërmarrjet Publike”, ka thënë për Express Arjeta Mjeku, zëdhënëse e kësaj ndërmarrjeje.
Në mars të këtij viti Bordi i Drejtorëve të KUR “Prishtina” pati njoftuar se në një mbledhje të jashtëzakonshme ka marrë vendim për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv Gjelosh Vataj dhe Zyrtarit Kryesor Financiar Selatin Retkoceri.
Sipas komunikatës së këtij bordi pas mbledhjes “arsyetimi për shkarkimin e Vatajt dhe z. Ratkocerit është i bazuar në të gjeturat e specifikuara në raportet e Auditimit të Brendshëm mbi shkeljet etike e ligjore në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik, të pasqyruara në raportin e Auditimit të Brendshëm te proceset e prokurimit dhe furnizimeve; deklarimin dhe raportimin e pasaktë financiar te raporti i TM4, përkatësisht pasqyrave financiare; brengat e grupeve të interesit për ecurinë etike të biznesit /shërbimeve dhe projekteve kapitale; humbjen e besimit të publikut, rrezikun e dëmtimit të reputacionit të ndërmarrjes; mos rikuperimin e raporteve me palët e interesit përfshirë komunat dhe donatorët; mos reflektimin relevant dhe konsistent karshi rekomandimeve të Bordit të Drejtorëve dhe komitetit të auditimit, lidhur me aktivitetet biznesore të ndërmarrjes KUR “Prishtina” sh.a.; mos efiqencën dhe efikasitetin menaxherial të ndërmarrjes në kontekst financiar, të performancës, teknik e operativ; zbehjen e marrëdhënieve me donatorët dhe institucionet vendore e ndërkombëtare; krijimin e grupeve / klaneve me qëndrime dhe prononcime të kundërta lidhur me gjendjen e ndërmarrjes, të cilat kanë krijuar amulli për një informim të drejtë të opinionit dhe palëve me interes.”
Ujësjellësi aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv Ilir Abdullahu, që po ashtu është në garë për t’u zgjedhur në këtë pozitë.